“Lufta për çlirimin e Tiranës ishte e panevojshme, pasi i kushtoi ushtrisë partizane 127 të vrarë, 290 të plagosur e, dëme materiale, vonoi kryeqytetin 10 ditë…”/ Refleksionet e publicistit të njohur Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizoni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve. Në historiografinë e kaluar, me të drejtë janë përmendur Masakra e Borovës dhe ajo e 4 Shkurtit në Tiranë, por asnjëherë nuk janë përmendur masakrat e kryera pa gjyq nga shtabet partizane gjatë luftës dhe në vitet e para pas lufte. Sot janë të shumtë studiuesit e historisë të cilët duke shfrytëzuar arkivat sekrete të luftës e të pasçlirimit, kanë hedhur dritë mbi vrasjet e terrorin komunist. Ato janë të shumta, por vlen të përmendim masakrën e kryer ndaj 180 personave të pafajshëm, vetëm si të dyshuar, nga rajonet e Vlorës, Korçës dhe Elbasanit, në shkurtin e vitit 1944. Po kështu në Golem të Lushjës u vranë 67 ballistë me urdhër të Dushan Mugoshës e të Mehmet Shehut nga Brigada I-rë. Dëshmohet se njëri prej tyre, kur e ftuan të bashkohej me partizanët tha: “Unë derr bëhem, por me komunistët jo”. Në Klos të Matit, u vranë në pabesi 20 burra, pasi qenë ftuar për të biseduar nga një zëvëndëskomisar brigade. Gjatë “Operacionit të Dimrit”, u pushkatuan 24 martaneshas, mes të cilëve dhe një fëmijë adoleshent. Më 14 shtator 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste, forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kryen një masakër në fshatin Gërhot të Gjirokastrës, ku vranë 36 nacionalistë, me në krye Hysni Lepenicën, që ishte komandant i Përgjithshëm i forcave nacionaliste për Jugun e Shqipërisë. Dhe ja si dëshmojnë vetë drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare e të Frontit Nacional-Çlirimtar, për vijën e ndjekur nga partia e tyre: Sejfulla Malëshova, një nga mendjet më të iluminuara të kohës, mbaron shkollën e mesme dhe studimet e larta për Mjekësi, në Romë. Më pas, në vitet 1926-1930, vazhdon studimet në Moskë. Emërohet pedagog në Universitetin “Lomonosov” dhe fiton konkursin për vendin e Dekanit, nga 100 konkurrues. Person me bindje komuniste, njohës i mbi 10 gjuhëve të huaja, në Shqipëri zgjidhet anëtar i PKSH-së dhe i Byrosë Politike. Pas çlirimit zgjidhet Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe emërohet Ministër i Arsimit. Në vitin 1947, i hiqen të gjitha funksionet në parti dhe qeveri, duke e cilësuar si liberal.
Ali Buzra: “Lufta për çlirimin e Tiranës ishte e panevojshme, pasi i kushtoi ushtrisë…