Pikat kryesore
- Nga Tetova në Napoli, Berlini, Moska e Dubai, historia e Rufat Shabanit është historia e një shqiptari që e ktheu pasionin për brumin në një art të vlerësuar ndërkombëtarisht.
- Më 29 dhe 30 qershor, mbi 50 mjeshtër picash nga vende të ndryshme të botës do të mblidhen në qytetin italian Sant’Antonio Abate, vendi i konsideruar si shtëpia shpirtërore e prodhuesve të picave.
- Eventi organizohet me mbështetjen e bashkisë së qytetit dhe Shoqatës Ndërkombëtare GPN, me një mision të veçantë: të ushqehen mijëra njerëz përmes bamirësisë dhe të vendoset një rekord i ri Guinness.
Nga Tetova në Napoli, Berlini, Moska e Dubai, historia e Rufat Shabanit është historia e një shqiptari që e ktheu pasionin për brumin në një art të vlerësuar ndërkombëtarisht. I ftuar në lidhje direkte për “ABC e Mëngjesit”, Master Chef-i dhe mjeshtri i picës napolitane zbulon emocionet e pjesëmarrjes në një prej eventeve më të mëdha të gastronomisë botërore, ku synohet të thyhet një rekord Guinness me prodhimin dhe shpërndarjen e 10 mijë picave për bamirësi. Më 29 dhe 30 qershor, mbi 50 mjeshtër picash nga vende të ndryshme të botës do të mblidhen në qytetin italian Sant’Antonio Abate, vendi i konsideruar si shtëpia shpirtërore e prodhuesve të picave. Eventi organizohet me mbështetjen e bashkisë së qytetit dhe Shoqatës Ndërkombëtare GPN, me një mision të veçantë: të ushqehen mijëra njerëz përmes bamirësisë dhe të vendoset një rekord i ri Guinness. Shumica e picave do t’u dhurohen shoqatave bamirëse dhe organizatave vullnetare, ndërsa pjesëmarrësit do të nderohen me certifikatat origjinale të Guinness World Records për kontributin e tyre në këtë nismë historike. Mes emrave që do të përfaqësojnë gastronominë shqiptare është edhe Rufat Shabani, i cili prej vitesh konsiderohet një nga ekspertët më të vlerësuar të picës napolitane në rajon. “Kam mbi 20 vite eksperiencë në këtë profesion dhe sot mund të them se kam realizuar ëndrrën time. Kam mësuar çdo sekret të picës napolitane dhe e përgatis atë ashtu si në Napoli”, shprehet ai. Rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Gjithçka nisi rastësisht, kur si i ri hyri në një restorant dhe u magjeps nga furra e picës. “Më tërhoqi aroma e brumit, por edhe zjarri. M’u duk diçka magjike. Aty lindi dashuria ime për këtë profesion”, kujton chef-i. Vetëm pak kohë më pas erdhi mundësia e parë për të punuar në Berlin. Më pas rrugëtimi vazhdoi në Moskë, Itali dhe Dubai, ku ndërtoi përvojën që sot e ka kthyer në një emër të njohur të gastronomisë. Në vitin 2022 fitoi dy tituj të artë në Sofje, duke siguruar kualifikimin për Kampionatin Botëror të Picave. Ndërsa në vitin 2024 u vlerësua me çmimin e artë në Napoli, në zemrën e traditës së picës napolitane. Sukseset e tij tashmë janë përfshirë edhe në guidën prestigjioze gastronomike “L’Arcimboldo Guida 2026”, ku katër faqe të plota i kushtohen rrugëtimit të tij profesional. “Çdo faqe përfaqëson vite pune, sakrificë dhe dashuri për këtë profesion. Të jesh pjesë e këtij libri është një nder i madh, sepse aty përfshihen njerëzit që kanë lënë gjurmë në gastronomi”, thotë ai me krenari. Një tjetër arritje e rëndësishme lidhet me Shoqatën Napolitane Pizza & Food (GPN), e cila u jep profesionistëve mundësinë të marrin certifikime të njohura ndërkombëtarisht dhe të ushtrojnë profesionin e picierit në Itali dhe në shumë vende të botës. Por përtej titujve dhe çmimeve, filozofia e Rufatit mbetet e thjeshtë. “Për mua çdo brumë është i gjallë. Ka nevojë për kujdes, durim dhe respekt. Çdo picë duhet të krijojë një emocion dhe të lërë një kujtim tek ai që e shijon.” Kjo filozofi është reflektuar edhe në projektin e tij “BrumArte”, një emër që bashkon dy fjalë shqipe: brumë dhe art. Sot, pasi ka ndërtuar mbi 100 koncepte të suksesshme picash në Europë dhe ka punuar si chef ekzekutiv në Dubai, ai vazhdon të ketë një ëndërr të madhe. “E dua Italinë, traditën dhe përbërësit e saj, por ëndrra ime është të hap një piceri të vërtetë napolitane në vendlindje.” Dhe ndërsa përgatitet për sfidën e Guinness-it, slogani që e shoqëron kudo mbetet i njëjtë: “Me Napolin në zemër”. Një moto që përmbledh më së miri historinë e shqiptarit që po e çon artin e picës nga Tetova në skenën botërore. /abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! “Qeveria e Mickoskit në duart e Putin”/ Rexhepi: Kremlini përcakton politikat në Shkup Nga filmi e moda, viral në Tik Tok/ Flamur Aljiji nga Tetova në skenat e serialeve të famshme Gjermane Gjeniu shqiptar që bën makineri e prodhon energji/ Artin Dauti: Në moshën 13 vjeç kam ndërtuar makinerinë time të parë