Mbyllet seanca për Ballukun në GJK / Qeveria dhe Kuvendi: Ka imunitet deputeti; SPAK:…

Mbyllet seanca për Ballukun në GJK / Qeveria dhe Kuvendi: Ka imunitet deputeti; SPAK:…

Pikat kryesore

  • Si subjekte të interesuara në këtë çështje morën pjesë dhe paraqitën argumentet dhe kërkesat e tyre Këshilli i Ministrave, Kuvendi, Presidenca dhe SPAK, ndërsa GJKKO vendosi të mos marrë pjesë në proces.
  • Pas dakordësimit për administrimin e provave të paraqitura, Gjykata Kushtetuese vendosi mbylljen e seancës dhe njoftoi se data dhe ora e së vendimit do të bëhen të ditura në vijim.
  • Palët në proces qëndruan në të njëjtat argumente të paraqitura gjatë seancës plenare.

Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të hënë, më 22 janar, seancën plenare publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Si subjekte të interesuara në këtë çështje morën pjesë dhe paraqitën argumentet dhe kërkesat e tyre Këshilli i Ministrave, Kuvendi, Presidenca dhe SPAK, ndërsa GJKKO vendosi të mos marrë pjesë në proces. Pas dakordësimit për administrimin e provave të paraqitura, Gjykata Kushtetuese vendosi mbylljen e seancës dhe njoftoi se data dhe ora e së vendimit do të bëhen të ditura në vijim. Palët në proces qëndruan në të njëjtat argumente të paraqitura gjatë seancës plenare. SPAK kërkoi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministria, duke argumentuar se nuk ekziston konflikt kompetencash dhe se masa e pezullimit ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës është marrë brenda kompetencave ligjore. Sipas SPAK, nuk ka konflikt kompetencash mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. “SPAK vlerëson se kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së për masën e sigurimit personal të pezullimit nga detyra nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash. Vlerësojmë se kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv”, deklaroi SPAK. Nga ana tjetër, Qeveria kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së vetëm për pjesën që lidhet me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke argumentuar se kjo masë përbën shkelje të kompetencave dhe të parimit të ndarjes së pushteteve mes ekzekutivit dhe gjyqësorit. “Pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë të shkaktojë pezullimin e një dege të pushtetit ekzekutiv përmes një mase sigurimi. Në rast se gjykata vlerëson se nevoja për sigurimin e individit është e pashmangshme, kjo masë nuk mund të vendoset në mënyrë të njëanshme pa autorizim nga Kuvendi. Këto janë standarde kushtetuese për çdo masë sigurimi që pengon ushtrimin e detyrës së ministrit”, deklaroi Këshilli i Ministrave. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Kuvendi, i cili argumentoi se pezullimi nga funksioni është de facto shkarkim i një anëtari të Këshillit të Ministrave, veprim që nuk mund të kryhet pa miratimin e Kuvendit, pasi ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit. “Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, si dhe nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Vendimi i pezullimit është de facto një shkarkim, pasi ndalon pjesëmarrjen e funksionarit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ushtrimin e kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale”, u shpreh Kuvendi. Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e Presidencës theksoi se nëse pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, atëherë kjo masë nuk mund të konsiderohet kushtetuese. “Nëse pezullimi nga ushtrimi i detyrës i një anëtari të Këshillit të Ministrave ndikon në funksionimin e lirë të pushtetit ekzekutiv, kjo masë merr përmbajtjen e një instrumenti kontrolli dhe balancash mes pushteteve dhe nuk mund të konsiderohet kushtetuese. Presidenca mbështet qartësimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese për këto çështje, pavarësisht vendimmarrjes së saj”, deklaroi Presidenca. Gjatë fjalës së saj në seancë, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave deklaroi se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit, për shkak se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal, si dhe nuk ekziston një marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt kompetencash. Në përgjigje, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave theksoi se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Sipas saj, kërkesa nuk lidhet me objektin e procedimit penal, masën e sigurimit apo të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, duke ngritur pyetjen thelbësore: a ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër apo çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv?

Lini një Përgjigje