Aktorja dhe moderatorja e njohur Egla Ceno është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut pas deklaratës së saj të fortë lidhur me procesin gjyqësor ndaj Saimir Kodrës.
Në një postim të fundit, Egla ka sqaruar se nuk ka bërë shpifje, por ka folur hapur për përvojat e saj, duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga kërkimi i drejtësisë.
“Unë nuk kam shpifur, unë kam folur. Dua që drejtësia të bëjë punën e saj,” – ka deklaruar Egla.
Ajo shtoi se në Shqipëri, kur një grua guxon të flasë për ngacmime seksuale në vendin e punës, shpesh përballet me paragjykime të rënda dhe linçim publik.
“Në vendin tonë, kur një grua flet për ngacmime seksuale në vendin e punës, konsiderohet e përdalë, imorale dhe shpifëse. Rrezikon vendin e punës, karrierën dhe moralin. Prandaj, kur një grua flet në këtë vend, është revolucion,” – shkruan Ceno me tone të forta.
Kjo deklaratë ka marrë dhjetëra reagime në rrjete sociale, ku shumë ndjekës e kanë përgëzuar për kurajon dhe sinqeritetin e saj, ndërsa të tjerë kanë kërkuar që drejtësia të hetojë me transparencë çështjen.
Egla Ceno e mbylli reagimin e saj me një mesazh të qartë:
“Dua që drejtësia të bëjë punën e saj.”