Pikat kryesore
- Në varësi të ministrisë së Mbrojtjes, QKKSH shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por organizohet në nivel qendror, me seli në Tiranë.
- Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është me status ushtaraku, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
- Në rast se është joushtarak, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, pa propozim nga të tjerë.
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave mori vendim për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, përcaktimin e kompetencave të këtij institucioni e të Koordinatorit Kombëtar për kërkim-shpëtimin. Në varësi të ministrisë së Mbrojtjes, QKKSH shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por organizohet në nivel qendror, me seli në Tiranë. Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është me status ushtaraku, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në rast se është joushtarak, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, pa propozim nga të tjerë. Ndërsa, Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin në Republikën e Shqipërisë është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 2, e 7, pika 2, të ligjit nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit (SAR) në Republikën e Shqipërisë në rast aksidentesh ajrore dhe detare”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, si dhe përcaktimi i kompetencave të Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit e të Koordinatorit Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin. Qëllimi i këtij vendimi është garantimi i një sistemi të unifikuar kombëtar për menaxhimin, drejtimin e koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit 1. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (në vijim, QKKSH) është institucion publik buxhetor në varësi të ministrit të Mbrojtjes. 2. QKKSH-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. 3. QKKSH-ja organizohet në nivel qendror, me seli në Tiranë. 4. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QKKSH-së, miratohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e kryetarit të QKKSH-së. 5. QKKSH-ja ka stemën, vulën e vet zyrtare dhe logon. Vula ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula prodhohet, administrohet e ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. 6. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes, Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar. 1. Kryetari i QKKSH-së siguron drejtimin e veprimtarisë së qendrës dhe ushtron kompetencat në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin e kërkim-shpëtimit. 2. Kryetari i QKKSH-së, përveç sa parashikohet në ligj, ka përgjegjësitë e mëposhtme: a) I propozon ministrit të Mbrojtjes, për miratim, tabelën e organizimit dhe të pajisjeve të QKKSH-së; b) I propozon ministrit të Mbrojtjes, për miratim, vendin e vendosjes, objektin dhe infrastrukturën e përshtatshme për personelin, pajisjet dhe instalimet e tjera të nevojshme, në përmbushje të misionit të QKKSH-së; c) Raporton te ministri i Mbrojtjes, sa herë që i kërkohet, por jo më pak se një herë në vit, për veprimtarinë e QKKSH-së; ç) Përfaqëson QKKSH-në në marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe subjektet private, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje; d) Monitoron zbatimin e strategjive dhe të planeve në përputhje me detyrimet kombëtare e ndërkombëtare në fushën e kërkim-shpëtimit; dh) Kryen çdo funksion tjetër të nevojshëm, sipas legjislacionit në fuqi. 3. Kryetar i QKKSH-së emërohet personi, i cili mund të jetë me status ushtarak ose joushtarak. Kriteret për përzgjedhjen e kryetarit të QKKSH-së 1. Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është me status ushtaraku, bëhet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe plotëson kriteret e mëposhtme: a) Është oficer me gradën “kolonel”; b) Ka kryer kurse dhe kualifikime të ndryshme ushtarake për formimin e përgjithshëm dhe atë profesional; c) Ka mbaruar kursin e lartë të oficerit; ç) Ka kryer kurse në fushën e kërkim-shpëtimit, që mbulon aksidentet ajrore ose detare; d) Ka eksperiencë punë si drejtues në struktura ushtarake; dh) Zotëron gjuhën angleze; e) Nuk ka konflikt interesi me detyrën ose funksionin që kryen, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit. 2. Emërimi i kryetarit të QKKSH-së, në rast se është joushtarak, bëhet nga ministri i Mbrojtjes dhe plotëson kriteret e mëposhtme: a) Është shtetas shqiptar; b) Ka zotësi të plotë për të vepruar; c) Është i aftë nga ana shëndetësore për të kryer detyrën përkatëse; ç) Zotëron diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike; d) Ka të paktën 10 (dhjetë) vjet eksperiencë në punë; dh) Nuk i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë; e) Nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; ë) Plotëson kushtet e sigurisë për kontrollin e verifikimit të pasurisë e të figurës; f) Nuk është larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike, si dhe nuk ka marrë masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi; g) Zotëron gjuhën angleze; gj) Nuk ka konflikt interesi me detyrën ose funksionin që kryen, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesit. Lirimi nga detyra i kryetarit të QKKSH-së 1. Kryetari i QKKSH-së lirohet nga detyra në rastet kur: a) plotëson moshën për pension pleqërie; b) jep dorëheqjen nga detyra; c) humbet shtetësinë shqiptare; ç) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar; d) emërohet në një detyrë tjetër; dh) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi; e) i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë. 2. Në rast se kryetari i QKKSH-së është me status ushtaraku, përveç sa më lart, mund të lirohet nga detyra dhe nëse plotëson kohën e qëndrimit në shërbim në Forcat e Armatosura. Shkarkimi nga detyra i kryetarit të QKKSH-së 1. Kryetari i QKKSH-së shkarkohet nga detyra në rastet kur: a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; b) kryen veprimtari që krijon konflikt interesi, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesit; c) i hiqet ose i refuzohet certifikata e sigurisë, sipas legjislacionit në fuqi; ç) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës; d) në rastet e moszbatimit haptazi të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale; dh) mungon në detyrë, pa shkaqe të arsyeshme, për më shumë se 30 (tridhjetë) ditë pune në vijim; e) nuk përmbush objektivat e punës. 2. Në rast se kryetari i QKKSH-së është me status ushtaraku, përveç sa më lart, mund të shkarkohet nga detyra dhe nëse kryen akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën e ushtarakut të Forcave të Armatosura. Punonjësi i QKKSH-së 1. Marrëdhëniet e punës së punonjësve joushtarakë të QKKSH-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i personelit joushtarak bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. 2. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i personelit ushtarak bëhet sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. 3. Parimet bazë mbi të cilat mbështetet përzgjedhja e punonjësit, janë formimi arsimor, profesional, pastërtia e figurës, përvoja e tij dhe specifikat e pozicionit të punës. Buxheti i Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit Buxheti i QKKSH-së përbën zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Marrja e informacionit në rast të emergjencave të kërkim-shpëtimit 1. Emergjencat e kërkim-shpëtimit vijnë nga: a) satelitët e sistemit COSPAS-SARSAT, që kapin sinjalet nga pajisjet sinjalizuese ELT/ELT-DT (transmetimi i vendndodhjes së emergjencës, gjurmim i sinjalit të rrezikut për avionët), EPIRB (fener radio për sinjalizimin e pozicionit në rast emergjence për mjetet detare) dhe PLB (pajisje personale për sinjalin e pozicionit në rast emergjence për individ); c) Qendra e Kontroll-Raportimit e Komandës së Forcës Ajrore; ç) Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare; d) Komanda e Forcës Detare; dh) thirrjet direkte nga anijet, avionët ose individët në rrezik përmes sistemit global të sinjalizimit të rrezikut dhe të sigurisë detare (GMDSS), radiostacioneve me frekuencë shumë të lartë dhe me frekuencë të lartë ose telefonisë satelitore; e) struktura të tjera shtetërore. 2. Pas pranimit të sinjalit të alarmit, QKKSH-ja verifikon vërtetësinë e tij, lokalizon aksidentin dhe fillon analizën e rrethanave për të vendosur llojin e përgjigjes që duhet të jepet. 3. QKKSH-ja është pika e kontaktit për emergjencat e kërkim-shpëtimit, e cila funksionon pa ndërprerje 24 (njëzet e katër) orë në 7 (shtatë) ditë të javës. Marrëdhëniet e bashkëpunimit 1. Në varësi të informacionit të marrë dhe llojit të aksidentit të ndodhur, QKKSH-ja koordinon bashkëpunimin me strukturat dhe njësitë, të cilat kanë deklaruar kapacitete operacionale kërkim-shpëtimi në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë. 2. Pas verifikimit të sinjalit të alarmit të emergjencës ajrore apo detare, QKKSH-ja merr masat për koordinimin e veprimeve, në varësi të sinjalit të marrë, me: a) njësitë/ekuipazhet e Forcës Ajrore apo të Forcës Detare; b) Policinë e Shtetit; c) Urgjencën Kombëtare Mjekësore; ç) Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin; d) struktura të tjera të përcaktuara në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë. 3. QKKSH-ja mbikëqyr zhvillimin e operacionit dhe rregullon strategjinë bazuar në informacionet e reja. 4. QKKSH-ja bashkëpunon me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për shfrytëzimin e kapaciteteve të deklaruara në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe për shkëmbimin e informacionit në rastet e emergjencave civile dhe SAR. Koordinimi dhe bashkëpunimi me strukturat rajonale e ndërkombëtare 1. QKKSH-ja merr pjesë në takimet e në aktivitetet stërvitore, trajnuese dhe promovuese me vendet, me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet në fushën e kërkim-shpëtimit. 2. Në rastin e një aksidenti ajror në ujërat e brendshme afër kufijve ose në ujërat ndërkombëtare, QKKSH-ja kontakton qendrat e koordinimit të kërkim-shpëtimit të vendeve fqinje për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, në zbatim të konventave ndërkombëtare dhe të marrëveshjeve të nënshkruara. Bashkëpunimi me koordinatorët kombëtarë të ajrit dhe të detit 1. QKKSH-ja koordinon në nivel kombëtar operacionet e kërkim-shpëtimit në hapësirën tokësore, detare dhe në ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë. 2. QKKSH-ja e ushtron aktivitetin e saj operacional nëpërmjet: a) Qendrës Ajrore të Kërkim-Shpëtimit, e cila kryen edhe rolin e Qendrës Ajrore të Koordinimit të Shpëtimit; b) Qendrës Detare të Kërkim-Shpëtimit, e cila kryen dhe rolin e Qendrës Detare të Koordinimit të Shpëtimit; c) institucioneve/strukturave të tjera të parashikuara në Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit. 3. QKKSH-ja e operon sistemin e kërkim-shpëtimit nëpërmjet strukturave të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni. Kompetencat e Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit QKKSH-ja, përveç sa parashikohet në ligj, ka dhe kompetencat e mëposhtme: a) Zbaton Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë; b) Bashkëpunon me vendet fqinje për incidentet që ndodhin pranë ose në vijën kufitare; c) Zbaton marrëveshjet e nënshkruara me institucionet shtetërore, subjektet private dhe strukturat rajonale në fushën e kërkim-shpëtimit; ç) Vlerëson aktivitetin e shërbimit të kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe përcakton përparësitë e ndërhyrjeve në rastet e operacioneve të shpëtimit të jetës njerëzore; d) Mban kontakte të drejtpërdrejta dhe bashkëpunon me qendrat rajonale të kërkim-shpëtimit të vendeve fqinje, sipas konventave ndërkombëtare e rajonale të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe legjislacionit kombëtar në fushën e kërkim-shpëtimit; dh) Koordinon e bashkërendon veprimet me institucionet shtetërore dhe subjektet private, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e kërkim-shpëtimit; e) Aktivizon, sipas fushës së përgjegjësisë, koordinatorët dhe njësitë/ekuipazhet kombëtare SAR për ndërhyrje, kryerje të operacioneve të kërkim-shpëtimit në tokë, në det dhe në ujërat e brendshme; ë) Vendos në dispozicion të strukturave kombëtare reaguese të gjitha asetet e nevojshme për realizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit; f) Përgatit plane, udhëzime, procedura standarde operacionale për marrjen, shkëmbimin, vlerësimin e informacionit, angazhimin në operacion, si dhe modulet e trajnimit për kapacitetet kombëtare të deklaruara për kërkim-shpëtim; g) Planifikon kërkesat për mjete, materiale, pajisje kërkim-shpëtimi dhe nevojat për përdorimin sa më racional të burimeve e mjeteve të deklaruara në interes të realizimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit; gj) Kontrollon zbatimin e planit operacional kombëtar për operacionet e kërkim-shpëtimit, në rast incidenti ajror e detar; h) Merr pjesë në grupin ndërinstitucional të punës për përgatitjen e Planit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë; i) Menaxhon informacionin e prodhuar nga Qendra Ajrore e Kërkim-Shpëtimit dhe Qendra Detare e Kërkim-Shpëtimit; j) Siguron mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit të nevojshëm për koordinimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe informimin sipas linjës së komandim-kontrollit dhe strukturave të tjera përkatëse. Kompetencat e Koordinatorit Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin 1. Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin në Republikën e Shqipërisë është shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. 2. Koordinatori Kombëtar për Kërkim-Shpëtimin, përveç sa parashikohet në ligj, ka dhe përgjegjësitë, si më poshtë: a) Drejton Komitetin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit; b) Siguron përdorimin e kapaciteteve ajrore, detare dhe tokësore në operacionet e kërkim-shpëtimit; c) Raporton, të paktën një herë në vit dhe sa herë që i kërkohet, te ministri i Mbrojtjes për zbatimin e Planit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit në Republikën e Shqipërisë; ç) Koordinon me institucionet shtetërore, institucionet ndërkombëtare për sigurimin e një reagimi të shpejtë dhe efikas, në rast aksidentesh ajrore dhe detare.