Një skandal i rëndë ndërkombëtar ka shpërthyer në kryeqytet, ku klinika dentare “Dental Turk” në zonën Don Bosko, Tiranë, akuzohet për përdorim të produkteve dentare të skaduara me vlerë mbi 100 mijë euro dhe evazion fiskal.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet, janë sekuestruar mbi 300 shishe me materiale dentare të dyshuara, shumica prej tyre me afat të skaduar, ndërsa janë konstatuar edhe mandate të pafiskalizuara. Klinika dyshohet se kryente trajtime dentare me produkte të rrezikshme, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e pacientëve.
Në qendër të hetimit ndodhet administratori turk i klinikës, Adnan Yizdizoglu, 59 vjeç, i cili është arrestuar nga policia. Nën hetim ndodhen gjithashtu edhe disa punonjës të tjerë të klinikës, përfshirë koordinatore dhe laboratorantë.
Kjo klinikë prezantohej publikisht si një qendër moderne ndërkombëtare e turizmit dentar, me staf turk dhe me materiale promovuese në gjuhën italiane, të drejtuara ndaj pacientëve nga Italia.
Në rrjetet sociale, “Dental Turk” shfaqte mjekun Dott. Ahmet Yildizoglu me përshkrime si “I nostri medici” dhe “Primario”, duke krijuar imazhin e një klinike me standarde evropiane, ndonëse operonte në Shqipëri.
Ky kombinim – mjek turk, klinikë shqiptare dhe komunikim në italisht – tregon një strukturë të orientuar drejt turizmit dentar ndërkombëtar, e cila tani ndodhet nën hetim për mashtrim, rrezikim shëndetësor dhe shkelje fiskale.