Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur sot në Tiranë, ku një 35-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri brenda një poligoni qitjeje pranë stadiumit “Air Albania”.
Sipas burimeve, viktima është identifikuar si Bledi Hasani, i cili kishte shkuar për qitje në poligonin “Action Target”, në pronësi të biznesmenit Emiljano Dusha. Ai ishte klient i rregullt i këtij poligoni, por këtë herë vizita përfundoi në tragjedi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Dervish Hima”. Policia tha se 35-vjeçari dyshohet se ka qëlluar veten me armën e zjarrit që po përdorte për stërvitje. Shërbimet e rendit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij akti ekstrem.
Ende nuk dihen arsyet që e shtynë të riun drejt këtij vendimi fatal, ndërsa autoritetet po hetojnë çdo pistë për të kuptuar nëse bëhet fjalë për probleme personale, depresion apo rrethana të tjera.
Ngjarja ka tronditur qytetarët e zonës, ndërsa lajmi ka hapur debat për sigurinë e poligoneve të qitjes dhe kontrollin e përdorimit të armëve në ambiente të mbyllura.