Pikat kryesore
- Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar këtë të mëkurë, më 24 dhjetor, përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Në mesin e të pandehurve janë: A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; A.C., Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe V.Ç., Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor. Kështu, në njoftimin për mediat bëhet me dije hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme. Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.