Pas ngordhjes së shpendëve, vendoset në karantinë ferma e kompanisë “REA’S” – Nisin hetimet

Një fermë shpendësh e kompanisë “Rea’s” është vendosur në karantinë nga Shërbimi Veterinar pas raportimeve për ngordhjen e një numri të konsiderueshëm shpendësh. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, Bashkia Durrës.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë u informua për ngjarjen nga vetë subjekti dhe menjëherë ka ndërhyrë për të izoluar fermën. Janë marrë mostra zyrtare, të cilat janë dërguar për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV, ndërkohë që strukturat e AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë po kryejnë hetimin epidemiologjik për të zbuluar shkaqet.

Ferma në karantinë, 227 708 shpendë të rrezikuar

Ferma në fjalë ka një kapacitet prej 227 708 shpendësh, të shpërndarë në katër kapanone në Rashbull dhe një kapanon në Shënavlash. Deri tani, dëmtimet janë raportuar vetëm në një kapanon, por autoritetet po monitorojnë të gjithë fermën për të parandaluar përhapjen e mundshme të një sëmundjeje infektive.

Masat e marra nga autoritetet

Për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar rreziqe të mëdha, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka ndërmarrë disa masa të menjëhershme:

✅ Urdhër për rritjen e masave të biosigurisë në të gjitha fermat e shpendëve.

✅ Njoftimi i 68 subjekteve të tjera që operojnë në këtë sektor për të marrë masa parandaluese.

✅ Shtimi i vigjilencës nga shërbimi veterinar në të gjithë vendin.

✅ Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të monitoruar situatën dhe për të rritur kontrollin mbi produktet e shpendëve në treg.

Ndërkohë, priten rezultatet laboratorike për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së shpendëve dhe rrezikun e mundshëm për fermat e tjera në zonë. Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve dhe konsumatorëve që të qëndrojnë të informuar dhe të respektojnë masat e sigurisë për të shmangur përhapjen e ndonjë infeksioni të mundshëm.

Lini një Përgjigje