Pikat kryesore
- Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
- Lajmi u bë i ditur këtë pasdite, teksa ai po trajtohej në spital.
- Teatri Kombëtar reagoi për humbjen e aktorit, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tij lanë gjurmë të rëndësishme në jetën artistike dhe në kujtesën e teatrit shqiptar.
Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Lajmi u bë i ditur këtë pasdite, teksa ai po trajtohej në spital. Teatri Kombëtar reagoi për humbjen e aktorit, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tij lanë gjurmë të rëndësishme në jetën artistike dhe në kujtesën e teatrit shqiptar. Fitim Makashi do të mbahet mend për profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin. Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër dhe nisi studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1963. Karrierën e tij e zhvilloi si pedagog dhe aktor në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar), ku interpretoi një sërë rolesh të spikatura. Ai u shfaq edhe në kinematografi, duke luajtur në filma të njohur si “Dueli i heshtur”, “Njësiti gueril”, “Ndërgjegja”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Tre njerëz me guna”, “Shpella e piratëve” dhe “Vdekja e kalit”. Pas ndarjes nga jeta të të atit, reagoi edhe këngëtari Redon Makashi, i cili në një postim në rrjete sociale shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e babait. Ai njoftoi se homazhet në nderim të Fitim Makashit do të mbahen nga ora 11:00 deri në 13:00 pranë Art Turbina, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Varrezat e Sharrës, në Tiranë. “Me dhimbje të thellë njoftoj ndarjen nga jeta të babait tim, artistit Fitim Makashi. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe ngushëllimet. U prehtë në paqe”, shkroi Redon Makashi.