Pikat kryesore
- Historia e grabitjes në Tropojë, 88-vjeçari Ibrahim Metaliaj akuzon Rexh Byberin: Shkoi në Kadastrën e Kukësit dhe…
- Pjesë e këtij trendi është edhe Ibrahim Metaliaj, një 88-vjeçar nga Dragobia e Tropojës, i cili prej më shumë së 14 vitesh endet dyerve të gjykatave për të rimarrë pronësinë e truallit të tij.
- Sipas Metaliajt, tjetërsimi i pronës erdhi si pasojë e bashkëpunimit të të afërmit të tij dhe kryebashkiakut të Tropojës, Rexh Byberi, asokohe kryetar i komunës Margegaj, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
“Më morën pronën me dokumente të falsifikuara”! Historia e grabitjes në Tropojë, 88-vjeçari Ibrahim Metaliaj akuzon Rexh Byberin: Shkoi në Kadastrën e Kukësit dhe… Çështja e pronës ka qenë një nga temat më të përfolura në tre dekadat e fundit në Shqipëri dhe mbetet ende një problem i pazgjidhur, qoftë ky regjistrimi, apo grabitja e një prone deri në konflikte të mëtejshme për të njëjtin subjekt. Pjesë e këtij trendi është edhe Ibrahim Metaliaj, një 88-vjeçar nga Dragobia e Tropojës, i cili prej më shumë së 14 vitesh endet dyerve të gjykatave për të rimarrë pronësinë e truallit të tij. Sipas Metaliajt, tjetërsimi i pronës erdhi si pasojë e bashkëpunimit të të afërmit të tij dhe kryebashkiakut të Tropojës, Rexh Byberi, asokohe kryetar i komunës Margegaj, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave. Ndërkohë Rexhe Byberi, kryebashkiaku i Tropojës, është një emër i njohur në publik, pasi është gjetur fajtor nga SPAK për akuzën “Shpërdorim të detyrës” për dëme ndaj buxhetit të shtetit prej gati tre milion eurosh. Po ashtu, ai është denoncuar shpeshherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje në tendera, vlera e të cilave shkon në gati gjashtë milionë euro. MARRJA E PRONËS Historia e Ibrahimit zë fill në një nga zonat më historike në Shqipëri, vetëm 14 kilometra nga qyteti i Bajram Currit, në Grykën e Dragobisë, në një nga fshatrat e Malësisë së Tropojës, i cili njihet nga epika, lahuta dhe kullat trekatëshe, që dikur strehonte heronjtë legjendarë kombëtarë. Sot, teksa turistët vizitojnë prurjen e natyrës unike të lumit Valbonë, në të vërtetë një tjetër prurje lumi rrjedh nëpër fshat: ajo e konfliktit dhe korrupsionit për pronën. “Është neni 41 i Kushtetutës, i cili është neni bazë, themelor, që mbron pronën private dhe që patjetër e cilëson pronën private, si të paprekshme dhe të pacënueshme, gjë që vetëm kjo nuk duket të jetë në Shqipëri”, thotë për “Vetting”, avokate Anxhela Lame. Ishte viti 1994, kur familja e Ibrahim Metaliajt doli përballë Gjykatës së Rrethit Tropojë dhe fitoi gjyqin e marrjes së truallit prej 5000 metrash katrorë. Për disa vite, ai e shfrytëzoi godinën si biznes, më pas për shkak të problemeve familjare, u detyrua ta mbyllte. Megjithatë, në skenë del djali i xhaxhait i 88-vjeçarit, Zenun Metaliaj, i cili në vitin 2006 padit kushëririn e tij, Ibrahimin me pretendimin se nuk ka pjesëtuar pasurinë e sipërfaqes së përmendur mësipër dhe kërkonte “hakun” e tij. Ama, këtu ka një kleçkë: Zenuni i përkiste fshatit Llugaj dhe jo Dragobi ashtu si Ibrahimi. “Unë nuk jam avokat, as prokuror, as gjyqtar, por kam dëgjuar sikur merr vendimi i gjykatës së formës së prerë është i padiskutueshëm, është mbyllur problem. Ai nuk ka as gjendje civile në Dragobi, as në kadastër në Tropojë. Atëhere si ka mundësi ai të ketë pronë në Dragobi për të shitur?” , rrëfen 88-vjeçari. Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Tropojë përmendet se Komisioni i Tokës së fshatit Dragobi kishte vendosur me vendimin nr. 18, datë 05/11/1995, që kjo sipërfaqe të ndahej në dy pjesë, ku njëra pjesë t’i takonte Ibrahimit dhe tjetra Zenunit. Pasi komisioni e ka pajisur me tapi toke Zenunin, po i njëjti komision nuk e ka marrë tapinë, që i kishte dhënë më parë Ibrahimit, duke bërë kështu që ky vendim të mos gjente zbatim. Po ashtu, në atë kohë dëshmuan edhe komuna Margegaj, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tropojë. Ata argumentuan se ai truall është i zënë me objekte të ndërtuara para viteve 1990, të cilat ende deri në atë kohë, ishin të paprivatizuara dhe se mbi to vepronin ligjet e privatizimit të pronës shtetëtore. Kështu, sipas tyre, trualli i zënë nga këto ndërtime, nuk është i regjistruar dhe rezulton pronë shteti, duke e rrëzuar padinë e Zenun Metaliajt dhe duke e cilësuar pjesëtimin e tokës si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.