Pikat kryesore
- Pasi kam hyrë në të shtatëdhjetat, mund edhe t’jua kisha kursyer kohën me këtë letër, të cilën nuk di nëse do ju lejojnë punët dhe hallet e shumta ta lexoni.
- Njëlloj si ju, unë mendoj se ka ardhur koha për të bërë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë.
- Por, ndryshe nga ju, unë mendoj se cilësia e arsimit të lartë nuk garantohet dhe as arrihet vetëm me ndryshime ligjore .
I nderuar z. Kryeministër! Pasi kam hyrë në të shtatëdhjetat, mund edhe t’jua kisha kursyer kohën me këtë letër, të cilën nuk di nëse do ju lejojnë punët dhe hallet e shumta ta lexoni. Por unë po ju shkruaj gjithsesi. Kushdo bën atë që mendon se i takon të bëjë. Dhe, pas më shumë se 40 vitesh përvojë në arsimin e lartë (në 3 universitete shqiptarë, 4 amerikanë dhe 1 hollandez), e ndiej si një detyrë qytetare e morale, por më shumë si një motiv që buron prej vokacionit tim profesional, t’ju shpreh disa mendime lidhur me çka ju parashtruat dy ditë më parë në takimin me rektorët e universiteteve. 1 . Njëlloj si ju, unë mendoj se ka ardhur koha për të bërë ndryshime në ligjin për arsimin e lartë. Por, ndryshe nga ju, unë mendoj se cilësia e arsimit të lartë nuk garantohet dhe as arrihet vetëm me ndryshime ligjore . Ligji mund t’u hapë rrugë ndryshimeve pozitive në arsimin universitar, por ligji—përmes procedurave strikte, rregullave të vjetruara, organizmave burokratikë dhe pasigurive ligjore—mundet të bëhet edhe “red tape”, pengesë që e ngadalëson, madje edhe e bllokon ndryshimin pozitiv. Armiqtë më të mëdhenj të reformimit të arsimit të lartë janë padituria dhe formalizmi. 2 . Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë duhen bërë nga ekspertë. Por, me ekspertë unë nuk kuptoj ata që duket se kini ju parasysh. Ekspertët e vërtetë të arsimit të lartë nuk janë rektorët, dekanët apo përgjegjësit e departamenteve në universitetet tona, as burokratët e Ministrisë së Arsimit. Këta, me ndonjë përjashtim, janë një forcë konservatore , të interesuar për të ruajtur status quo -në dhe privilegjet që u sigurojnë pozicionet që mbajnë, jo për ta ndryshuar gjendjen. Kjo është njëra anë e çështjes; ana tjetër është se, në botën universitare, si rregull, shumica e profesorëve më të shquar e më të respektuar u shmangen pozicioneve drejtues administrativë, pasi ata çmojnë më shumë lirinë intelektuale dhe kohën për kërkim shkencor mbi pushtetin burokratik. Siç ju mund ta dini, figura të tilla si Albert Einstein, Sigmund Freud, Bertrand Russell, Isaiah Berlin, Herbert Marcuse, Erich Fromm, Stephen Hawking apo shkencëtarë më të hershëm si Galileo dhe Kepler, dëshmojnë se disa nga mendjet më të shquara kanë refuzuar pozicione administrativë në academe , ose kanë zgjedhur të punojnë jashtë strukturave formale universitare, për të ruajtur lirinë e tyre krijuese dhe për të mbrojtur pavarësinë intelektuale . Edhe ato figura të shquara që kanë mbajtur pozicione administrative drejtuese, si Theodor Adorno, Seymour Martin Lipset, Samuel Huntington, Peter Berger, Jürgen Habermas, Anthony Giddens, Michael Porter, Francis Fukuyama e ndonjë tjetër, kanë drejtuar institute kërkimorë , ose shoqata akademike profesionale , jo universitete (në rolin e presidentit)—me përjashtim, ndoshta, të Giddens-it, si drejtor i London School of Economics and Political Science—as shkolla (në rolin e dekanit) dhe as departamente. Këto pozicione ata i kanë pranuar e mbajtur pasi fushë e veprimtarisë së tyre ka qenë kërkimi shkencor, si dhe për shkak të reputacionit të tyre në akademi dhe në jetën publike, çka u ka mundësuar të ushtrojnë influencën e vet në politikat arsimore në vendet e tyre dhe të mbrojnë lirinë akademike për këdo. Por ne nuk kemi figura që t’u afroheshin sado pak atyre. Në postet drejtuese në universitete, dekanate dhe departamente ne zgjedhim jo më të aftët, por ata që i kërkojnë me ngulm këto pozicione dhe sigurojnë mbështetjen e më shumë votave. Këta, sigurisht, nuk janë ekspertët më të mirë për të këshilluar ndryshimet që i duhen bërë ligjit për arsimit të lartë. Ajo që ne kemi krijuar në sistemin tonë të arsimit të lartë dhe në institucionet e tjera akademike, përfshirë edhe Akademinë e Shkencave, është një hierarkiologji , e njohur si “Peter’s principle”, një hierarki në të cilën çdo punonjës ka prirje të ngjitet deri në nivelin e vet të paaftësisë e, për rrjedhojë, me kalimin e kohës, çdo post ka prirje të pushtohet nga një punonjës që është i paaftë për të kryer detyrat e tij. 3 . Ju nuk e thoni, por unë mendoj se Shqipëria ka tashmë një kapital njerëzor shumë të vyer, njerëz shumë mirë të arsimuar e të kualifikuar në shumë fusha, që duhen çmuar dhe u duhet marrë mendim edhe kur vjen puna për të përmirësuar sistemin tonë të arsimit të lartë. Ju keni promovuar hera-herës vajza e djem që kanë marrë një Mastër jashtë vendit. Por, të mos gënjejmë veten. Një Mastër është thjesht një Mastër dhe, në ditët tona, konsiderohet thjesht arsim i papërfunduar. Ndërkohë, Shqipërisë i janë kthyer me qindra e qindra vajza e djem që kanë fituar gradën PhD në disa prej universiteteve perëndimorë më të mirë—në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Hollandë, Zvicër, Japoni etj. Vetëm në radhët e stafit pedagogjik shqiptar të Universitetit të Nju Jorkut Tiranë, ku unë jap mësim, dy të tretat kanë fituar gradën PhD nga universitete perëndimorë. Në radhët e atyre djemve e vajzave që janë doktoruar në shkenca jashtë vendit dhe janë kthyer të punojnë këtu gjendet ekspertët që mund të ndihmonin në hartimin e ndryshimeve ligjore që ju sugjeroni. Këta dhe jo rektorët, dekanët apo burokratët e Ministrisë së Arsimit janë ai kontingjent njerëzor dhe akademik që dinë më mirë se çfarë duhet bërë dhe si . 4 . Njëlloj si ju, unë mendoj se ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë janë të domosdoshme por, ndryshe nga ju, unë mendoj se këto ndryshime nuk duhen bërë me ngut, brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet që duhen bërë kërkojnë një kohë të domosdoshme për të analizuar dhe evidentuar mangësitë e ligjit ekzistues dhe të atyre dhjetëra VKM-ve që i kanë çoroditur institucionet tona të arsimit të lartë, për të diskutuar gjerësisht, jo thjesht me rektorët e universiteteve, por me masën e gjerë të trupave pedagogjikë, me studentët dhe me ata që vërtetë kanë ekspertizë në këtë fushë. Problemeve u duhen gjetur zgjidhjet më të mira e më të dobishme, të cilat, edhe këto, do të kërkojnë zgjidhje të reja. Kjo nuk është një fushatë që zgjat sa një sesion parlamentar . Nuk duhet parë kaq thjesht dhe nuk duhet marrë kaq lehtë. Kjo është një detyrë tepër komplekse dhe një përgjegjësi tepër e madhe e qeverisë para kombit. 5 . Ju nuk e thoni, por unë mendoj se duhet mbajtur gjithnjë parasysh e vërteta se, duke investuar për arsimin (për të cilin shteti ynë investon shumë pak) dhe duke ndërmarrë reforma në fushën e arsimit, ne investojmë për mendjen e kombit, për mirëqenien dhe të ardhmen e tij . Nga çdo gjë që prodhon një shoqëri, dija është produkti i saj më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse të gjitha produkteve dhe industrive të tjera varet prej saj, por vlera e saj nuk është vetëm ekonomike . Krijimi, përhapja, aplikimi dhe ruajtja e dijes janë aktivitetet kryesorë të çdo civilizimi. Dija nuk është thjesht memorie sociale , një lidhje me të shkuarën; ajo është, mbi të gjitha, shpresë sociale , një investim për të ardhmen. 6 . Edhe ose ju nuk e thoni, unë mendoj se reformimi i arsimit të lartë nuk është e s’duhet parë i shkëputur nga reformimi i tërë sistemit piramidal arsimor dhe s’mund të ketë sukses pa u paraprirë dhe shoqëruar nga ky i fundit . Kjo kërkon të mendojmë se si dija, të mësuarit dhe edukimi në të gjitha nivelet mund e duhet të adresojnë sfidat dhe oportunitetet e së ardhmes, në linjë me vizionin e Komisionit Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, krijuar si pjesë e iniciativës globale të ndërmarrë nga UNESCO më 2019, për të planifikuar për zhvillimin e arsimit përtej vitit 2050. 7 . Ajo që ju, gjithashtu, nuk thoni, është se sot është bërë urgjentisht e domosdoshme që praktikat dhe metodat e mësimdhënies e të mësimnxënies të përshtaten e të transformohen në përputhje me mundësitë dhe resurset e reja e të panumërta që janë të aksesueshme nga kushdo në këtë ekologji të re të mësuari . Si kudo, edhe në fushën e arsimit, ne përjetojmë sot një diskontinuitet të madh, që po ndryshon çdo gjë kaq thellësisht, sa një kthim pas është bërë absolutisht i pamundur. Nxënësit dhe studentët e sotëm, të rritur me Internetin dhe teknologjinë digjitale, jetojnë çdo ditë në një mjedis social teknologjikisht të ndërlidhur. Bota e tyre, në një masë të madhe, është në “infosphere”, një botë në të cilën kufijtë mes shkollës, punës, shtëpisë dhe argëtimit kanë rënë. Mënyrat se si të rinjtë e sotëm kërkojnë informacion dhe komunikojnë ndryshojnë shumë nga ato të brezit të prindërve e të mësuesve të tyre, në atë shkallë se neuroshkenca ka vëzhguar ndryshime fiziologjike të matshme në trurin e moshave të reja, të lidhura me mënyrën se si ata konsumojnë informacionin digjital, veçanërisht përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale.