Pikat kryesore
Pas muajsh të tërë që nga lajmi që bëri bujë në mediat vendase dhe jo vetëm, më në fund është marrë një vendim zyrtar nga gjykata australiane lidhur me akuzat ndaj terapistes dhe influenceres shqiptare, Belina Pupa. Dokumentet gjyqësore tregojnë se akuza për 43 bimë kanabisi të gjetura në një pronë në Ascot Park nuk do të vazhdohet më, çka do të thotë se Belina nuk fajtore dhe nuk do të përballet me dënim për këtë pikë. Megjithatë, procesi ligjor nuk ka përfunduar plotësisht. Çështja e dytë, që lidhet me ndërhyrjen e paautorizuar në rrjetin elektrik, pritet të shqyrtohet në seancën e 25 nëntorit 2025. Në një deklaratë për mediat, Belina Pupa shprehu qetësinë dhe vendosmërinë e saj për të lënë drejtësinë të flasë: “ Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar.” Në të njëjtën kohë, bashkëshorti i saj, aktori Elvis Pupa, ka reaguar për të qartësuar çdo keqkuptim që po qarkullon në rrjet. Ai mohoi zërat se ndodhej “në arrati” apo “nën hetim” dhe u shpreh prerazi: “ Jam i detyruar të reagoj pas disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse që po qarkullojnë në media, sipas të cilave unë gjoja ‘jam arratisur’ dhe ‘ndodhem në kërkim’. Dua ta bëj shumë të qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europë.” Elvisi theksoi se Belina vazhdon normalisht aktivitetin e saj profesional dhe se gjithçka tjetër është pjesë e një procesi që do të marrë fund vetëm në sallën e gjyqit. “ Çdo përpjekje për ta paraqitur këtë situatë ndryshe është një manipulim i pastër i informacionit… Jetët tona janë publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të abuzojë me dinjitetin e njerëzve.”