Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka ngritur shqetësime të forta lidhur me vendimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për përcaktimin e orarit të punës nga ora 07:00 deri në 15:00 për të gjitha njësitë. Kjo masë është cilësuar si një cenim i të drejtave të punëtorëve shëndetësorë, duke detyruar FSSHK-në të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit Qendror të Punës.
Në një njoftim zyrtar, Federata thekson se ka bërë kërkesë për inspektim në lidhje me shkeljet e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë. Ajo shpreh shqetësim për mospërfilljen e vlerësimeve të rrezikut në vendet e punës, si dhe mohim të të drejtave për pushime të shtuar dhe kushte të veçanta pune për punonjësit që operojnë në ambientet më të rrezikshme.
FSSHK gjithashtu ka kërkuar një hetim nga Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë për të vlerësuar ndikimin e këtij vendimi në sigurinë dhe mirëqenien e stafit shëndetësor, si dhe pasojat në cilësinë e shërbimeve ndaj pacientëve. Sipas Federatës, ky vendim është i pabazuar dhe shkel të drejtat e punëtorëve që përballen me kushte të vështira dhe të rrezikshme, duke rrezikuar shëndetin e tyre fizik dhe mendor, si dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.
FSSHK fton të gjithë punëtorët shëndetësorë të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin kërkesat për kushte të dinjitetshme pune, në përputhje me legjislacionin dhe standardet profesionale. Ajo angazhohet të vazhdojë të ndjekë çdo hap institucional dhe ligjor për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve shëndetësorë, duke mos lejuar që vendime të njëanshme dhe joprofesionale të dëmtojnë si stafin ashtu edhe pacientët.