Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA-dhe Ukraina, BE: rrezik sigurie

Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA-dhe Ukraina, BE: rrezik sigurie

Pikat kryesore

  • Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.
  • Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe.
  • Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë.

Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku. Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe. Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë. Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari. Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov. Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar për REL-in vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’i dhënë atij shtetësi. Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025. Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”. Shtetas i ri i Serbisë është edhe Igor Koljushev, inxhinier rus ndërtimi në fushën e urave. Ai është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022. Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase. As Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve se pse po u jep shtetësi qytetarëve rusë të sanksionuar. Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.

Lini një Përgjigje