Pikat kryesore
- Deklarata e Sali Berishës se i është hequr statusi “non grata” ka prodhuar menjëherë debat politik, entuziazëm tek mbështetësit e tij dhe nervozizëm tek kundërshtarët.
- Megjithatë, përtej reagimeve të zakonshme, ndoshta vlen të bëjmë një lexim më të thellë të situatës.
- Së pari, deri në këtë moment mungon një konfirmim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Deklarata e Sali Berishës se i është hequr statusi “non grata” ka prodhuar menjëherë debat politik, entuziazëm tek mbështetësit e tij dhe nervozizëm tek kundërshtarët. Megjithatë, përtej reagimeve të zakonshme, ndoshta vlen të bëjmë një lexim më të thellë të situatës. Së pari, deri në këtë moment mungon një konfirmim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se Berisha ka gënjyer. Mund të ketë pasur kontakte, komunikime apo sinjale të caktuara. Por a kemi të bëjmë me një heqje reale të “non gratës”, apo me një proces politik shumë më të gjerë sesa vetë statusi personal i Berishës? Një element që meriton vëmendje është vetë mënyra se si u dha lajmi. Nëse vërtet kemi të bëjmë me një ndryshim kaq të rëndësishëm të qëndrimit amerikan, atëherë është e çuditshme që informacioni u bë publik fillimisht nga vetë Berisha dhe jo nga institucionet amerikane. Kjo krijon përshtypjen se kemi të bëjmë më shumë me një sinjal politik sesa me një akt të formalizuar diplomatik. Në diplomaci, shpesh rëndësi ka jo vetëm mesazhi, por edhe koha kur jepet. Dhe koha është interesante. Shqipëria po kalon një periudhë ku protestat kanë krijuar një presion të papritur mbi të gjithë klasën politike. Në një situatë të tillë, një lajm i tillë zhvendos menjëherë vëmendjen publike nga protestat te Berisha dhe Partia Demokratike. Praktikisht, debati kalon nga kriza e sistemit politik te fati politik i një individi. Në politikën ndërkombëtare, vendimet rrallëherë merren duke parë vetëm një individ. Fuqitë e mëdha shohin stabilitetin, interesat strategjike, funksionimin e institucioneve dhe perspektivën afatgjatë të vendit. Për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia që mesazhi i vërtetë të mos jetë “Berisha është rehabilituar”, por “Shqipëria po hyn në një fazë të re politike”. Një interpretim i mundshëm është se SHBA mund të ketë dhënë sinjale se Shqipëria po shkon drejt një rotacioni politik. Nëse perceptohet se pushteti aktual po hyn në një fazë konsumimi, atëherë partnerët ndërkombëtarë kanë interes të kenë një opozitë funksionale, të organizuar dhe të gatshme për të qeverisur. Këtu lind pyetja tjetër: “A ka kushte kjo tolerancë e mundshme ndaj Berishës dhe nëse po cilat janë?” A është e mundur të kemi të bëjmë me një formulë tranzicioni, ku Berisha mund të marrë një lloj rehabilitimi politik, ndërsa në këmbim të kontribuojë në një tranzicion të kontrolluar të Partisë Demokratike drejt një lidershipi të ri?