Independent”: Shqipëria në qendër të vëmendjes së turistëve për sezonin veror 2026

Independent”: Shqipëria në qendër të vëmendjes së turistëve për sezonin veror 2026

Pikat kryesore

  • Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet turistike më të preferuara në Evropë për vitin 2026, shkruan Fran Watts në një artikull të botuar në median britanike “The Independent”.
  • Përgjatë Rivierës Shqiptare, destinacione si Ksamili, Saranda dhe Himara vazhdojnë të tërheqin vizitorë për shkak të plazheve të tyre piktoreske, hoteleve me çmime të përballueshme dhe atmosferës relaksuese.
  • Megjithatë, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa bregdeti, duke përfshirë fshatra malorë, qytete historike dhe qendra urbane dinamike si Tirana.

Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet turistike më të preferuara në Evropë për vitin 2026, shkruan Fran Watts në një artikull të botuar në median britanike “The Independent”. Vendi, i cili deri pak vite më parë konsiderohej një nga sekretet më të ruajtura të kontinentit, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë falë kombinimit të plazheve me ujëra të kristalta, qyteteve bregdetare me atmosferë të qetë dhe kostove më të ulëta, krahasuar me destinacione të njohura si Greqia, Kroacia apo Italia. Sipas medieve britanike të specializuara në turizëm, paketat e pushimeve për në Shqipëri po ofrohen me çmime që nisin nga 169 paund për person, duke e bërë vendin një nga alternativat më ekonomike, për pushime verore në Mesdhe. Përgjatë Rivierës Shqiptare, destinacione si Ksamili, Saranda dhe Himara vazhdojnë të tërheqin vizitorë për shkak të plazheve të tyre piktoreske, hoteleve me çmime të përballueshme dhe atmosferës relaksuese. Megjithatë, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa bregdeti, duke përfshirë fshatra malorë, qytete historike dhe qendra urbane dinamike si Tirana. Ekspertët e turizmit theksojnë se paketat turistike për Shqipërinë mbeten veçanërisht të favorshme, për ata që rezervojnë herët ose zgjedhin të udhëtojnë jashtë pikut të sezonit veror. Kjo e bën vendin tërheqës si për pushime familjare, ashtu edhe për arratisje të shkurtra buzë detit. Pse Shqipëria po bëhet kaq e njohur? Një nga arsyet kryesore të rritjes së interesit për Shqipërinë është fakti se shumë turistë kërkojnë ende destinacione që ruajnë ndjesinë e vendeve “ende të pazbuluara”. Ndërsa çmimet në destinacionet tradicionale të Mesdheut vazhdojnë të rriten, Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë, si një alternativë me cilësi të lartë dhe kosto më të ulët. Rrjetet sociale kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në promovimin e vendit.

Lini një Përgjigje