Një valë dhune ka përfshirë kryeqytetin e Nepalit, Katmandu, ku të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe rreth 150 të tjerë janë plagosur pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave policore. Protestat shpërthyen pas vendimit të qeverisë për të bllokuar 26 platforma sociale, përfshirë Facebook, X dhe YouTube. Incidenti ndodhi të hënën, kur turma të mëdha kaluan barrierat e sigurisë dhe rrethuan godinën e parlamentit.
Pavarësisht përpjekjeve të policisë për të shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë, forcat e rendit u detyruan të tërhiqeshin për shkak të numrit të madh të protestuesve. Ata brohorisnin: “Ndalo korrupsionin, jo rrjetet sociale!” dhe valëvitnin flamuj kombëtarë. Sipas raportimeve zyrtare, 145 persona janë plagosur gjatë përleshjeve, përfshirë 28 oficerë policie.
Për shkak të situatës së tensionuar, autoritetet kanë vendosur orë policore në disa nga zonat më të ndjeshme të qytetit, përfshirë parlamentin dhe rezidencën presidenciale. Protesta është quajtur “revolta e brezit Z”, duke pasur parasysh se shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj.
Qeveria e Nepalit ka justifikuar vendimin e saj duke thënë se platformat sociale nuk kanë pranuar të regjistrohen zyrtarisht, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, dhe se ato shpesh shfrytëzohen për përhapjen e identiteteve të rreme dhe lajmeve të rreme. Ndërkohë, aplikacione si TikTok dhe Viber vazhdojnë të operojnë normalisht pasi kanë përmbushur kërkesat ligjore.
Një projektligj i ri për menaxhimin e rrjeteve sociale është paraqitur në parlament, por kritikët e shohin atë si një mjet për censurë dhe kufizim të lirisë së shprehjes. Në vitin 2023, Nepali kishte ndaluar përkohësisht TikTok me arsyetimin se dëmtonte “harmoninë shoqërore”, por ndalimi u hoq pas angazhimeve nga ana e kompanisë për të respektuar ligjet vendase.