Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e ndodhur në Shkodër më 8 shtator, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Ragip Gila, 30 vjeç, i cili është arrestuar si autor i dyshuar, ka dhënë dëshminë e tij të parë para hetuesve. Ai ka pohuar se qëllimi i tij ishte vetëm Erogen Vaso, me të cilin kishte një problem personal. "Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso," ka thënë Gila, duke theksuar se nuk kishte pasur qëllim të dëmtonte të tjerë.
Sipas tij, ai kishte pasur një konflikt të vazhdueshëm me Vason. Ngjarja tragjike rezultoi me vdekjen e Armando Palit dhe Liridon Krajës, ndërsa Erogen Vaso, i dyshuar si objektivi i atentatit, dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendngjarje, përfunduan të plagosur. Gila u arrestua pas një ndjekjeje nga policia, gjatë së cilës ra nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke pësuar një dëmtim në këmbë. Ai u detyrua të dorëzohej, duke thënë: "E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë."
Grupi hetimor po heton nëse Gila ka vepruar i vetëm ose nëse ka pasur ndihmë nga persona të tjerë që mund të kenë porositur vrasjen e Erogen Vaso, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.