Rama: Shqipëria, amaneti i socialistëve! Të dashur themelues përfaqësues anëtarë

Rama: Shqipëria, amaneti i socialistëve! Të dashur themelues përfaqësues anëtarë

Pikat kryesore

  • Të dashur themelues, përfaqësues, anëtarë dhe anëtare të familjes sonë të madhe politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë!
  • Vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e Prodhimit të Përgjithshëm të vendit tonë dhe është dy herë e gjysmë më shumë sesa i gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar.
  • E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie nuk është si duket nga bulevardi.

Të dashur themelues, përfaqësues, anëtarë dhe anëtare të familjes sonë të madhe politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë! Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35 vjetorit të lindjes kësaj familjeje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzish të dilte e vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmje, bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomik dhe social të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 miliardë euro, në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh. Vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e Prodhimit të Përgjithshëm të vendit tonë dhe është dy herë e gjysmë më shumë sesa i gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar. E vërteta është se edhe unë personalisht po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale duke dëgjuar dhe parë turlillojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati si dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, “pelikanë të ngordhur”, “flamingo në arrati”, “ruspa rrafshuese të natyrës”, “gradaçela mbi lagunën dhe mbi Sazan”, “tabelë kufiri e Izraelit” mbi një gardh me tela me gjemba, – do kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga gjithë ai apokalips dixhital. Do të më dukej dhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal më kanal, ekran më ekran, kontinent më kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarosës për zogj dhe për breshkat e ujit, vrastar për njerëzit, varrosës për të ardhmen e Shqipërisë dhe pa diskutim anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua me nota ulëritëse dhe si shitje e të vetmit ishull të Shqipërisë, si falje e një toke publike në zonë të mbrojtur, si shqelmim brutal i të drejtës së pronës do më dukej më e pakta gjë që duhet të ndodhte. E kam vënë veten vijimisht sepse ma ka mësuar kjo punë që të futem në këpucët e tjetrit në anën e atij grupi njerëzish që në mes të asaj turme, prurjesh dhe interesash të sojsojshme i ka çuar pasioni i sinqertë për zogjtë, dashuria për natyrën e virgjër, ideja e një Shqipërie ideale të paprekur dhe të paprekshme. Këto burime të energjisë ambientaliste, bashkuar me ndjesinë e hidhur të dhunimit nga arroganca e atyre që një pushtet sado të vogël e ushtrojnë, duke shpërfillur hallet dhe interesat e njerëzve janë më shumë sesa të mjaftueshme për të dalë në rrugë. E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie nuk është si duket nga bulevardi. Përkundrazi edhe unë mendoj një për hiret e natyrës shqiptare, për rëndësinë e mjedisit për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë vendimeve të njerëzve me pushtet dhe jo thjesht mendoj njësoj, por qysh se e kam shkelur në zyrën e parë të shtetit si Ministër Kulture, deri më sot, kam bërë gjithnjë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë. Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 25 vjetëve më parë kur me Partinë Socialiste morëm drejtimin e një kryeqyteti që kishte më shumë pemë të prera sesa pemë të mbjella. U them atyre sot se 90% e pemëve që shohin nëpër rrugët e Tiranës, nga buzët e Lanës në Laprakë, nga Kinostudio në Kombinat e rrotull Unazës së vjetër e kështu me radhë, i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën kur si kryetar bashkie, dola nga zyra, duke lënë mbrapa 55 mijë rrënjë pemësh dhe shkurresh dekorative të mbjella në qytetin tonë. Shumë prej atyre pemëve shtatlarta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr pasi duheshin shkulur kioska, shembur ndërtime, zgjeruar trotuare dhe unifikuar katet e para të pallateve që ishin dyqane. Vetëm nga dy skarpatet e Lanës janë hequr 123 000 ton beton, gërmadha godinash të paligjshme për të mbjellë të gjithë atë gjerdan të gjelbër të Tiranës, i cili sot ka dhe dy tunele të gjelbër kur bashkohen kurorat e pemëve të rritura në anën tjetër të dy akseve të unazës. Ajo e epopesë së rilindjes së Tiranës ka qenë një rrugë e një vështirësie që sot është zor të imagjinohet dhe që atëherë unë e mësova me pahir se në këtë vend nuk hidhet dot një hap për të ecur përpara pa u hapur një sherr për t’u kthyer mbrapa. Kur më pas morëm mandatin e asaj shumice për të rilindur Shqipërinë e zhytur në pisllëk, në gropa, në borxhe, në cepin e përbuzjes dhe shpërfilljes ndërkombëtare, dy nga vendimet e para që morëm në tryezën e qeverisë, tamam në ditën e betimit ishin vendosja e fotografisë së atit të Shqipërisë shtet, Ismail Qemalit në vend të fotografive të presidentëve që venin e vinin si edhe ndalimi i importit të plehrave. Me fjalë të tjera, ne u përcaktuam edhe simbolikisht si një forcë në shërbim të misionit për t’i dhënë dinjitetin e humbur Shqipërisë dhe shtetit të saj dhe u angazhuam konkretisht në një veprimtari të pandalur për të rivendosur ekuilibrin e humbur të njerëzve me Shqipërinë, ndalimin e importit të plehrave dhe heqjen e maleve të mbetjeve të grumbulluara kudo, kudo, kudo ku hidhje sytë e pasuan më tej edhe dy vendime të tjera që u kontestuan nga një pakicë e zhurmshme. Ndalimi i prerjes pyjeve për 10 vjet dhe ndalimi i gjuetisë për 10 vjet. Dy moratoriume që kanë krijuar sot dy pamje krejt të ndryshme të Shqipërisë të asaj kohe kur nëpër pyje gjinkallat ishin zëvendësuar nga sharrat elektrike, ndërsa shpendët dhe kafshët shfaroseshin nga turizmi barbar i gjahtarëve të huaj, të cilët futeshin në vendin tonë si tufa çakejsh me dy këmbë për të bërë masakra që në Europë as nuk janë imagjinuar dot shekuj më parë. Ishim ne që pastaj kryem regjistrimin në Kadastër të 1.3 milionë hektarë pyje mbi mesataren e Bashkimit Europian është kjo sasi. Ishim ne, që përmes moratoriumeve 10 vjeçare të gjuetisë dhe pyjeve mundësuam disafishimin e popullatës së shpendëve të egër, çka e tregon dhe censusi që bëhet çdo vit në mënyrë të rregullt. Flitet këto kohë pa pushim, pa karar për zonat e mbrojtura. Kjo është gjë e mirë, por çfarë nuk është aspak e mirë, nuk është thjesht fakti që harrohet se ligjin e parë me standarde europiane zona të mbrojtura e bëri qeveria e Partisë Socialiste në mandatin tonë të parë. Deri në 2017 Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojta, por vepronte me ca rregullore. Ishim ne që gjatë mandatit të dytë dhe të tretë e kemi çuar në thuajse 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Pra në Shqipëri 1/4 e territorit është zonë e mbrojtur. Ishim ne që krijuam për herë të parë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një strukturë që është unikale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e bëmë qysh në fillim mandatit të parë. Sot, Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e mirënjohur dhe e lëvduar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare. Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me një administratë të shtrirë në të gjithë vendin për zonat e mbrojtura ku kemi 12 parqe kombëtare, 28 parqe natyrore, 11 peizazhe të mbrojtura dhe mbi 700 monumente natyre. Ishim ne, që i bllokuam duzina e duzina, lejesh të dhëna qorrazi mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm në lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e plot nëntë hidrocentraleve, nëntë!

Lini një Përgjigje