Pikat kryesore
- Presidenti Armand Duka, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Hajde Flasim” në TV 21, në Maqedoninë e Veriut.
- Sa e rëndësishme është për futbollin në Shqipëri roli juaj si zëvendëspresident i UEFA-s?
- Për herë të parë jam në një televizion në Maqedoninë e Veriut për një intervistë në studio.
Presidenti Armand Duka, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Hajde Flasim” në TV 21, në Maqedoninë e Veriut. Në këtë intervistë, e para e tij në një studio televizive në Maqedoninë e Veriut, kreu i futbollit shqiptar foli gjerësisht për Kombëtaren shqiptare, për lojtarët me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë, si dhe për ata që kanë zgjedhur të luajnë për Maqedoninë e Veriut apo Kosovën. Presidenti Duka u ndal gjithashtu te marrëdhëniet me presidencën e re të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, roli i tij si Zëvendëspresident i UEFA-s, organizimi i finaleve të Kampionatit Europian U-21 në bashkëpunim me Serbinë dhe shumë çështje të tjera me interes për publikun. Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka. Sa e rëndësishme është për futbollin në Shqipëri roli juaj si zëvendëspresident i UEFA-s? – Kënaqësi që jam në TV 21, që unë e ndjek vazhdimisht. Për herë të parë jam në një televizion në Maqedoninë e Veriut për një intervistë në studio. Pozicionimi apo përfaqësimi i një federate në UEFA është i rëndësishëm për çdo lloj federate. Tregon kontributin dhe vlerësimin e një federate në tërësi dhe jo të një individi që është në rastin konkret Presidenti i FSHF. Besoj se është një zhvillim pozitiv. Nuk lidhet me sa projekte fiton FSHF. Nuk je anëtar i Komitetit për të fituar projekte të padrejta por je anëtar i Komitetit për të ndërtuar politika dhe strategji për zhvillimin e futbollit europian. Pjesë e të cilit jemi edhe ne, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe të gjithë të tjerat. Në nivel europian është zhvillimi i përbashkët i futbollit.