Pikat kryesore
- Ka momente kur një vend duhet të ndalet dhe të pyesë veten jo vetëm çfarë po bën, por si po përfaqësohet.
- Sepse mënyra se si flasim dhe veprojmë jashtë kufijve tanë nuk është thjesht çështje protokolli apo imazhi, por pasqyrë e seriozitetit të shtetit dhe e ambicies sonë si vend evropian.
- Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë është një nga institucionet më përfaqësuese të shtetit.
Ka momente kur një vend duhet të ndalet dhe të pyesë veten jo vetëm çfarë po bën, por si po përfaqësohet. Për Shqipërinë, një nga këto momente është sot. Sepse mënyra se si flasim dhe veprojmë jashtë kufijve tanë nuk është thjesht çështje protokolli apo imazhi, por pasqyrë e seriozitetit të shtetit dhe e ambicies sonë si vend evropian. Një shërbim i jashtëm që funksionon mirë nuk u shërben diplomatëve si një trupë e mbyllur dhe e privilegjuar, as partive politike, por qytetarëve kudo që ndodhen, përfshirë diasporën shqiptare: investimeve që vijnë në vend, vendeve të punës që krijohen, sigurisë që garantohet, interesave ekonomike që mbrohen dhe zërit që Shqipëria ka në tryezat ku merren vendime që na prekin drejtpërdrejt. Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë është një nga institucionet më përfaqësuese të shtetit. Përmes tij ndërtohet besimi, krijohen aleanca dhe mbrohen interesa afatgjata. Ky shërbim ka traditë dhe përvojë. Ka diplomatë që ndër vite kanë përfaqësuar vendin me seriozitet dhe dinjitet, shpesh në rrethana jo të lehta. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim.