Pikat kryesore
- Duka u shpreh se nuk sheh një kandidat më të përshtatshëm se Malaj për drejtimin e qytetit.
- Nga ana tjetër, Malaj bëri akuza të forta ndaj Ramës dhe Berishë, duke pretenduar se po diskutohet që kryetarët e bashkive të zgjidhen nga këshillat bashkiakë dhe jo drejtpërdrejt nga qytetarët.
- Ai u shpreh se dyshja Rama-Berisha po ndjek të njëjtën qasje si në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj demokracisë.
Kreu i PAA-së, Agron Duka, i ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli, ka shprehur mbështetjen për ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar si i pavarur për kryebashkiak të Vlorës. Duka u shpreh se nuk sheh një kandidat më të përshtatshëm se Malaj për drejtimin e qytetit. “ Unë e kam mik zotin Malaj. Zgjedhjet vendore nuk janë si zgjedhjet parlamentare. Jam realist dhe nuk shoh ndonjë më të zot se Arben Malaj. Nuk ka arsye pse të mos e mbështes ,” tha ai. Nga ana tjetër, Malaj bëri akuza të forta ndaj Ramës dhe Berishë, duke pretenduar se po diskutohet që kryetarët e bashkive të zgjidhen nga këshillat bashkiakë dhe jo drejtpërdrejt nga qytetarët. Ai u shpreh se dyshja Rama-Berisha po ndjek të njëjtën qasje si në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj demokracisë. “Arkivolin e demokracisë shqiptare e bënë në 2008-ën me ndryshimet kushtetuese vëllezërit siamezë Berisha dhe Rama. Kam informacion se po bëjnë të njëjtën gjë edhe për demokracinë vendore dhe do të arrijnë marrëveshje. Po hidhet në diskutim që kryetarët e bashkive t’i zgjedhë këshilli bashkiak, çka është një deficit demokratik. Në shumë vende të botës edhe anëtarët e këshillit kandidojnë zonë më zonë, jo me lista partie ,” u shpreh Malaj.