Greta kërkon falje pas daljes nga “Big Brother VIP 5”: Flet për Juelën dhe raportin Miri–Selin
Pas përjashtimit nga shtëpia e Big Brother VIP Albania, Greta Kazazi ishte sot e ftuar në emisionin Big Brother VIP Fan Club, ku foli për herë të parë për ngjarjen që i ndërpreu rrugëtimin në reality show.
Gjatë intervistës, Greta kërkoi falje publike për komentet e bëra ndaj Juela gjatë debatit të ashpër në spektaklin e mbrëmshëm, fjalë që çuan në përjashtimin e saj nga gara.
“Familja ime edhe e Selin janë shumë të lumtur dhe krenarë për mua. Kanë qenë suportues, por edhe ata janë ndjerë të ofenduar. Unë i marr përsipër të gjitha fjalët që kam thënë dhe i kërkoj falje familjes së Juelës, por edhe mua më janë thënë të njëjtat gjëra, por me kamuflime. Familja ime ka qenë e mërzitur për fjalët që më janë thënë”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, Greta komentoi edhe marrëdhënien e diskutuar brenda shtëpisë mes Miri Ylli dhe Selinës. Sipas saj, Selin nuk ka ndjenja të vërteta për Mirin dhe afrimiteti mes tyre ka qenë pjesë e lojës.
“Selin nuk ndjen asgjë për Mirin, e ka bërë për lojë dhe shumë mirë e ka bërë. I kanë ardhur rrethanat që është futur në një vorbull nga e cila nuk ka dalë dot”, tha Greta.
Ajo shtoi gjithashtu se, sipas saj, Miri ka një tendencë për t’u afruar me vajzat e shtëpisë dhe shpesh shfaq një lloj tërheqjeje ndaj tyre.
“Miri ka një tendencë që t’u afrohet femrave të shtëpisë, ka një tërheqje dhe ka disa persona që nuk janë të plotësuar në jetë. Të gjitha gjestet dhe veprimet aty sillen”, u shpreh ish-banorja.
Deklaratat e Gretës kanë nxitur diskutime të shumta mes ndjekësve të “Big Brother VIP”, ndërsa debatet për raportet dhe strategjitë brenda shtëpisë vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së publikut.