Shembja e rrugës Librazhd – Përrenjas, riparimi kërkon disa muaj

Shembja e rrugës Librazhd – Përrenjas, riparimi kërkon disa muaj

Pikat kryesore

  • Defekti kërkon një zgjidhje inxhinierike krejt të re për t’u stabilizuar dhe për t’u riparuar, teksa specialisti i infrastrukturës e konsideroi dëmtimin më seriozin që ka ndodhur së fundmi.
  • I pari të ndërtohet një viadukt i ri që kërkon shumë kohë dhe ndryshim projekti nga fillimi, ose zgjidhja tjetër është gërryerja deri në themele e masës së dheut që është shembur.
  • Kompania ANK, që ishte kontraktuar për të kryer punimet, po merr në konsideratë variantin e dytë duke gërryer dheun dhe më pas të bëjë një trase te re.

Shembja e ndodhur në aksin kombëtar të rrugës Librazhd–Përrenjas, në afërsi të fshatit Dragostunjë, pritet të marrë një kohë të gjatë, në rastin më të mirë disa muaj punë, nëse ndiqen procedurat dhe standardet në fuqi, tha për “Monitor” një inxhinier brenda ARRSH-së, i cili për shkak të funksionit preferoi të mbetet anonim. Defekti kërkon një zgjidhje inxhinierike krejt të re për t’u stabilizuar dhe për t’u riparuar, teksa specialisti i infrastrukturës e konsideroi dëmtimin më seriozin që ka ndodhur së fundmi. Sipas tij, janë dy zgjidhje. I pari të ndërtohet një viadukt i ri që kërkon shumë kohë dhe ndryshim projekti nga fillimi, ose zgjidhja tjetër është gërryerja deri në themele e masës së dheut që është shembur. Kompania ANK, që ishte kontraktuar për të kryer punimet, po merr në konsideratë variantin e dytë duke gërryer dheun dhe më pas të bëjë një trase te re. Por masa e shembur përfshin volume të mëdha punimesh dhe gjithsesi kërkon shumë kohë. Të gjitha variantet e riparimit kërkojnë disa muaj, tha inxhinieri, i cili shtoi se mund të hapet një kalim emergjent, por nuk është i sigurt për automjete të rënda dhe kamionë. Sipas vlerësimeve paraprake teknike, rrëshqitja e fundit është tërësisht e induktuar dhe lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjet e mëvonshme në zonë, përfshirë punimet për segmentet e autostradës së Korridorit VIII. Eksperti i ARRSH-së tha se ndërhyrjet në terren kanë rënduar ndjeshëm masivin shkëmbor dhe kanë krijuar presion shtesë mbi strukturën ekzistuese të rrugës. Ndërhyrjet kanë ngarkuar shpatullat e rrugës, ndërsa janë gërryer themelet nga përdorimi i materialit lumor, një zgjidhje që konsiderohet e gabuar nga pikëpamja inxhinierike dhe që ka ndikuar në de-stabilizimin e terrenit.

Lini një Përgjigje