Pikat kryesore
- “Qëllimi ynë kryesor është konsolidimi i inspektorateve, thjeshtimi i procedurave të inspektimit, rritja e transparencës dhe kapaciteteve të inspektorëve, si dhe ulja e konfliktit të interesi t”, tha ministrja.
- Ajo shtoi se për këtë do të përdoret edhe moduli i riskut, që do të lejojë inspektimet të jenë të fokusuar dhe të targetuara.
- “Inspektimet nuk duhet të jenë të shpeshta dhe të përsëritura nga inspektorate të ndryshme.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot pikat kryesore të reformës së inspektimit, duke theksuar rëndësinë e punës paraprake për krijimin e bazës ligjore që do të mundësojë arritjen e objektivave të reformës. Sipas ministres, qëllimi i reformës është arritja e disa objektivave kyçe, sikurse konsolidimi i inspektorateve për një strukturë më efikase dhe koherente; thjeshtimi i procedurave të inspektimit për të reduktuar kompleksitetin dhe burokracinë; rritja e transparencës në të gjitha procedurat e inspektimit; rritja e kapaciteteve të inspektorëve, për të garantuar profesionalizëm dhe efikasitet; ulja e konfliktit të interesit, përmes ndarjes së ankesave dhe ankimimeve të gjobave nga inspektoratet që i vendosin ato; si dhe kryerja e inspektimit përmes modulit të riskut, për të targetuar prioritetet reale dhe për të shmangur inspektimet e panevojshme. “Qëllimi ynë kryesor është konsolidimi i inspektorateve, thjeshtimi i procedurave të inspektimit, rritja e transparencës dhe kapaciteteve të inspektorëve, si dhe ulja e konfliktit të interesi t”, tha ministrja. Ajo shtoi se për këtë do të përdoret edhe moduli i riskut, që do të lejojë inspektimet të jenë të fokusuar dhe të targetuara. “Inspektimet nuk duhet të jenë të shpeshta dhe të përsëritura nga inspektorate të ndryshme. Gjoba nuk duhet të jetë masa e parë ndëshkuese për bizneset. Masa parandaluese dhe paralajmërimi për vendosjen e penaliteteve duhet të jenë hapi i parë”, tha ajo. Ministrja theksoi se reforma ka për qëllim të krijojë një sistem inspektimi më të drejtë dhe profesional, duke ofruar transparencë, standarde të qarta dhe mbështetje për bizneset. “ Qasja jonë ndaj bizneseve ka qenë gjithmonë lehtësuese. Synimi është që çdo inspektim të ndihmojë bizneset të vetëkorigjohen dhe jo të jetë një surprizë e papritur ose një gjobë e menjëhershme” , tha ajo. Sipas ministres, përmes këtyre ndryshimeve, inspektorët do të kenë plane të qarta pune, ndërsa bizneset do të përfitojnë nga një mjedis i rregulluar, i parashikueshëm dhe i fokusuar në parandalim, jo vetëm në penalizim.