Pikat kryesore
- Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka marrë në shqyrtim pesë projektligje në mbledhjen e tij të radhës.
- Gjatë kësaj seance, komisioni ka miratuar dy nisma ligjore dhe ka rrëzuar dy projekte të tjera të propozuara nga deputetët, të cilat synonin ndryshime në Kodin Rrugor.
- Komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka marrë në shqyrtim pesë projektligje në mbledhjen e tij të radhës. Gjatë kësaj seance, komisioni ka miratuar dy nisma ligjore dhe ka rrëzuar dy projekte të tjera të propozuara nga deputetët, të cilat synonin ndryshime në Kodin Rrugor. Komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Nisma u prezantua nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e cila specifikoi synimet e këtij kuadri të ri ligjor. Sipas saj, projektligji: “Synon garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike për konsumatorët, përmes forcimit të konkurrencës në treg, rritjes së mbrojtjes së konsumatorëve dhe nxitjes së investimeve në energjinë e rinovueshme.” Muçaj shtoi se ky ligj mundëson përafrimin e mëtejshëm me dispozitat e Paketës së Energjisë së Pastër të BE-së ( Clean Energy Package ). Relatorja e çështjes, deputetja Aurora Mara, ftoi anëtarët ta miratojnë projektligjin, duke vlerësuar rëndësinë e tij për tregjet e integruara. Komisioni shqyrtoi dy nisma deputetësh për shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor, por vendosi t’i rrëzojë të dyja në parim. Nisma për monopatinat elektrike e propozuar nga deputeti Erald Kapri, synonte rregullimin e përdorimit të mjeteve elektrike individuale në rrugët publike. I ftuar në mbledhje, zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, sqaroi se një draft zyrtar për këtë çështje është hedhur tashmë për konsultim publik. Pas diskutimeve, nisma u rrëzua. Edhe nisma për automjetet elektrike e propozuar nga deputeti Kliti Hoti, parashikonte pajisjen e mjeteve elektrike me targa të veçanta dhe përjashtimin e tyre nga detyrimet financiare për pesë vitet e para. Relatori Ani Dyrmishi sugjeroi rrëzimin e saj, duke argumentuar se: “Për shkak se projektligji shoqërohet edhe me efekte financiare, propozoi që nisma të rrëzohet dhe propozimet të diskutohen gjatë shqyrtimit të Kodit të ri Rrugor.” Projektligji u rrëzua me shumicë votash. Komisioni vendosi që të dyja projektligjet të shqyrtoheshin si një tekst i vetëm integral. Gjatë prezantimit, deputeti Hasalla vuri në dukje se nisma synon forcimin e kontrollit dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore. Ndërsa zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, sqaroi se ky ligj sjell rregulla më të qarta dhe shmang mbivendosjet e institucioneve: “Bënë të mundur që orientimi i kontrolleve të bëhet mbi bazën e riskut që paraqet çdo operator apo biznes, sipas praktikave dhe modeleve të vendeve të BE.” Pas vlerësimit të kushtetueshmërisë nga relatori Ermal Pacaj, komisioni e miratoi këtë projektligj integral në parim, nen për nen dhe në tërësi.