Raporti i IISS: 144 incidente me dronë të dyshuar rusë mbi 13 vende të Europës, alarm për…

Raporti i IISS: 144 incidente me dronë të dyshuar rusë mbi 13 vende të Europës, alarm për…

Pikat kryesore

  • Rusia dyshohet se ka ndërtuar një operacion të organizuar spiunazhi nga ajri në Europë, duke përdorur dronë për të siguruar të dhëna mbi baza ushtarake, aeroporte, porte dhe infrastrukturë të rëndësishme.
  • Këtë alarm e ngre një raport i ri i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me bazë në Londër.
  • Sipas këtij studimi, është “shumë e mundshme” që Moska të ketë përdorur dronë mbikëqyrës në hapësirën ajrore të 13 vendeve europiane.

Rusia dyshohet se ka ndërtuar një operacion të organizuar spiunazhi nga ajri në Europë, duke përdorur dronë për të siguruar të dhëna mbi baza ushtarake, aeroporte, porte dhe infrastrukturë të rëndësishme. Këtë alarm e ngre një raport i ri i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), me bazë në Londër. Sipas këtij studimi, është “shumë e mundshme” që Moska të ketë përdorur dronë mbikëqyrës në hapësirën ajrore të 13 vendeve europiane. Vlerësimi mbështetet në të dhënat e organizatës amerikane ACLED (Armed Conflict Location & Event Data), si edhe në raportime të mediave ndërkombëtare. Analiza evidenton 144 incidente të regjistruara nga gushti 2024 deri në shkurt 2026, në të cilat dronë të dyshuar kanë fluturuar mbi objekte strategjike për të mbledhur informacion me natyrë ushtarake dhe civile. Në shënjestër të këtyre fluturimeve të dyshuara kanë qenë, mes të tjerash, baza amerikane Ramstein në Gjermani, bazat ajrore gjermane në Ingolstadt-Manching dhe Neuburg, aeroplanmbajtësja franceze Charles de Gaulle, si dhe baza e nëndetëseve bërthamore në Île Longue, në Bretanjë. Sipas raportit, 48% e këtyre fluturimeve kanë pasur si objektiv instalime ushtarake, ndërsa 18% janë përqendruar te aeroportet civile. Po ashtu, 26% kanë synuar porte, fusha ajrore, termocentrale dhe zona industriale. Vendi që ka raportuar më shumë raste është Gjermania, me 58 incidente, e ndjekur nga Belgjika me 25 dhe Danimarka me 16. Holanda ka regjistruar 9 raste, Franca 8, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia nga shtatë incidente secila. Në raport përmenden gjithashtu Republika Çeke, Finlanda, Spanja, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Italia, sipas raportit, nuk paraqet raste të evidentuara. IISS vlerëson se këta dronë janë nisur nga anijet e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, e cila vepron në Detin Baltik, Detin e Veriut, Kanalin Anglez dhe Oqeanin Atlantik. Edhe pse këto mjete lundruese përdoren për transportin e naftës ruse, ekzistojnë dyshime se ato shërbejnë edhe si baza të lëvizshme për lëshimin e dronëve spiunë. Ekspertët nënvizojnë se kjo metodë ka ekspozuar mangësitë e mbrojtjes ajrore aktuale në Europë. Dronët lëvizin në lartësi të ulët, janë në gjendje t’u shmangen radarëve dhe goditja e tyre me raketa të kushtueshme shihet si një zgjidhje joefikase dhe ekonomikisht e pajustifikuar. Në përgjigje të këtij kërcënimi, Bashkimi Evropian ka vënë në lëvizje “Nismën Evropiane të Mbrojtjes nga Dronët”, e njohur edhe si “Muri i Dronëve”, e cila synohet të hyjë në funksion deri në fund të vitit 2026. Raporti thekson po ashtu se NATO dhe BE duhet të ndërtojnë një qasje të përbashkët për t’u përballur me këto rreziqe në rritje, përmes shtimit të investimeve në teknologjitë kundër dronëve, forcimit të industrisë së mbrojtjes dhe përmirësimit të koordinimit të sistemeve të paralajmërimit në Europë.

Lini një Përgjigje