Rama rikthen ligjin e refuzuar: prindërit kthehen në ‘Prind 1’ dhe ‘Prind 2’, burrë e grua zhduken

Projektligji i ri për Barazinë Gjinore, i dorëzuar ditët e fundit në parlament, ka sjellë ndryshime të dukshme nga drafti fillestar. Në tekstin e ri, koncepti tradicional i burrit dhe gruas është zëvendësuar me një përkufizim gjithëpërfshirës të gjinisë, që synon të mbulojë identitete të ndryshme gjinore.

Ky është tentativi i dytë i kryeministrit Edi Rama për të miratuar këtë ligj, i cili më parë u rrëzua nga Gjykata Administrative, pas një padie të lidhur me vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kundër Pastor Akil Panos. Debati atëherë lidhej me përdorimin e termave “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në vend të nënës dhe babait.

📌 Çfarë sjell drafti i ri?

Në versionin e parë, neni 4 përcaktonte se “gra dhe burra” nënkupton edhe “vajza dhe djem”. Pas konsultimeve publike, Aleanca LGBTI kërkoi zgjerimin e përkufizimit për të përfshirë edhe identitete të tjera gjinore, kërkesë që u pranua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Teksti aktual fut termat “gjithëpërfshirëse” dhe “shprehje gjinore”, duke i dhënë status juridik identiteteve të reja gjinore, edhe pse nuk jepet një listë e qartë e tyre.

Në debatin ndërkombëtar flitet për mbi 70 identitete gjinore, çka ngre pikëpyetje mbi zbatimin praktik të ligjit.

📌 Kuotat e reja të përfaqësimit

Projektligji parashikon gjithashtu kuota të detyrueshme nga 30% deri në 50% për përfaqësimin gjinor në pozitat drejtuese, jo vetëm në institucionet publike, por edhe në sektorin privat.

Kritikët konservatorë ngrejnë pyetjen: si do të funksionojë sistemi i kuotave nëse gjinitë nuk janë vetëm dy? Në rastin e dy gjinive, 30% ose 50% është e qartë. Por nëse njihen më shumë se dy, matematikisht kuotat bëhen të pamundura për t’u zbatuar.

⚖️ Rreziku juridik dhe debatet shoqërore

Kundërshtarët e shohin këtë projektligj si një rrezik për pasiguri ligjore, probleme në vendin e punës dhe një përpjekje për të imponuar një normë ideologjike që, sipas tyre, nuk përputhet me realitetin tradicional të shoqërisë shqiptare.

Lini një Përgjigje