Pikat kryesore
- Në një gjysmëfinale të dytë tepër të fortë, Egnatia ia doli të kalonte provën e vështirë në “Elbasan Arenë” dhe të kualifikohej për në finalen e Kupës së Shqipërisë.
- Ekipi nga Rrogozhina e gjeti shpejt avantazhin, kur Gruda shënoi që në 11’, dhe u desh të vinte minuta e 57-të që skuadra e trajnerit Gvozdenovic të arrinte të barazonte, me anë të Mustës.
- Pjesa e parë foli më shumë për kampionët që patën edhe mundësi të tjera, ndërsa pas pushimit, ishte Elbasani që mori frenat e lojës në dorë.
Përvoja ndoshta ishte ajo që vendosi. Në një gjysmëfinale të dytë tepër të fortë, Egnatia ia doli të kalonte provën e vështirë në “Elbasan Arenë” dhe të kualifikohej për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kampionët e vendit, që e kanë fituar titullin dy herë radhazi dhe që janë trofembajtës edhe në Kupë, kaluan të parët në epërsi ndaj Elbasanit vendas, përballuan reagimin sidomos pas barazimit 1-1, dhe u treguan shumë më të qetë në gjuajtjet e penalltive. Kjo sepse, 120 minuta lojë u mbyllën në ekulibër. Ekipi nga Rrogozhina e gjeti shpejt avantazhin, kur Gruda shënoi që në 11’, dhe u desh të vinte minuta e 57-të që skuadra e trajnerit Gvozdenovic të arrinte të barazonte, me anë të Mustës. Pjesa e parë foli më shumë për kampionët që patën edhe mundësi të tjera, ndërsa pas pushimit, ishte Elbasani që mori frenat e lojës në dorë. Pati pretendime edhe ndaj arbitrit, pati edhe goditje shtylle, dhe ndonjë gabim të portierit mik Tandilashvili, por më shumë se dy rrjeta nuk u shënuan. Tek gjuajtjet e penalltive, Egnatia tregoi gjithë eksperiencën e një ekipi që ka dominuar futbollin shqiptar në 3 vitet e fundit. Gaboi vetëm një goditje kur Kryeziu rrahu shtyllën, ndërsa katër lojtarë realizuan pa probleme. E kundërta ndodhi me Elbasanin, që shpërdoroi dy penalltitë e para, nga Kasa dhe Lleshi. Kualifikimi u arrit pas gjuajtjes së Fangajt e duket se trajneri Edlir Tetova nuk do të largohet nga stoli në fund të sezonit pa një trofe. Rivali I Egnatias do të përcaktohet këtë të enjte nga ndeshja Vllaznia-Dinamo në Shkodër, ndërsa në Tiranë sfida përfundoi në barazim 1-1. Sa për Elbasanin, në këtë edicion shumë të mirë, kanë shanse për të pretenduar titullin kampion. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!