Pikat kryesore
- Rrezet e diellit të këtij fillim-prilli po joshin më shumë pushues të huaj të vizitojnë vendin.
- E njëjta ka ndodhur me këtë grup të rinjsh nga Republika Çeke.
- “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe deri tani më pëlqen shumë.
Pas nisjes dobët të vitit, turizmi po e merr veten. Rrezet e diellit të këtij fillim-prilli po joshin më shumë pushues të huaj të vizitojnë vendin. E njëjta ka ndodhur me këtë grup të rinjsh nga Republika Çeke. “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe deri tani më pëlqen shumë. Moti është i këndshëm dhe njerëzit janë mikpritës. Po eksplorojmë disa qytete dhe gjithçka duket interesante”, thotë për A2 Alena, turiste nga Republika Çeke. Problemet e vjetra të turizmit shqiptar ndërkohë po përsëriten edhe këtë vit. “Ka disa gjëra që mund të përmirësohen, sidomos infrastruktura dhe organizimi në disa zona turistike. Ndonjëherë është e vështirë të gjesh informacion të saktë. Transporti është jo i mirë”, thotë Bozena, gjithashtu turiste nga Republika Çeke. Përherë e më tepër të huajt e joshur nga çmimet e ulëta gjatë kërkimeve në internet po përballen me një realitet zhgënjyes kur vijnë në Shqipëri. “Në internet dukej gjithçka shumë perfekte dhe shumë e lirë, por kur mbërritëm disa çmime ishin më të larta dhe shërbimi jo gjithmonë në nivelin që prisnim”, thotë Adin, turist nga Republika Çeke. Turizmi pritet të jetë i mbarë veçanërisht me afrimin e sezonit veror. Shqipëria pritet të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të turistëve të cilët kanë anuluar pushimet në Lindjen e Mesme për shkak të tensioneve. “Ka një interes të shtuar për Shqipërinë këtë vit, edhe si pasojë e zhvillimeve në rajone të tjera. Kjo po sjell një rritje të kërkesës, sidomos për sezonin veror”, shpjegon Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Tur-Operatorëve. Në disavantazh pritet të kthehet shtrenjtimi i karburantit që përdorin avionët. “Rritja e kostove të transportit ajror është një faktor që mund të ndikojë drejtpërdrejt tek turistët. Pritshmëritë për këtë vit janë që vendin ta vizitojmë rreth 14 milionë të huaj ndërsa të ardhurat të rriten në mbi 7 miliardë euro.