Pikat kryesore
- Mjafton një qejf-mbetje e ndonjë anëtari të lartë tek PS-ja ose PD-ja dhe njerëzit nisin të bëjnë hipoteza për ndryshimin e pritshëm dhe rrymat brenda partisë!
- Braçe e ka përcaktuar qartë qëllimin e tij për kandidaturën bashkiake.
- Njësoj me përpjekjen e ish-deputetit Salianji për zgjedhjet në PD dhe sfidën ndaj kryetarit Berisha.
Mjafton një qejf-mbetje e ndonjë anëtari të lartë tek PS-ja ose PD-ja dhe njerëzit nisin të bëjnë hipoteza për ndryshimin e pritshëm dhe rrymat brenda partisë! Media e merr sakaq kauzën dhe vazhdon me projeksionet e veta duke shpalosur kampet kundërshtare dhe krizat , ku tashmë duket se ish-Ministrja e Jashtme Spiropali dhe ish-zv\kryeministri Braçe po përgatiten për ndryshime në PS! Në fakt, kjo ka pak gjasa të ndodhi dhe z. Braçe e ka përcaktuar qartë qëllimin e tij për kandidaturën bashkiake. Njësoj me përpjekjen e ish-deputetit Salianji për zgjedhjet në PD dhe sfidën ndaj kryetarit Berisha. Tek e fundit, nuk ndryshon asgjë në status quo shqiptare. Përpjekja e individit në politikën tonë është e madhe vetëm sa të kapet një post, pastaj gjërat rrjedhin vetë. Që do të thotë se: Njeriu që kap pushtetin në vend nuk di të sillet “normal”, por punon sesi ta mbrujë këtë forcë për ta përdorur për kultin e vet. Mit’hat Frashëri e kishte një ide për këtë në kapërcyell të shekullit XIX në vitin e largët 1900. “Shqipërisë shpëtimi dhe fatbardhësia i ka për t’i ardhurë duke zenë njerësit tregërinë, mjeshtërinë dhe të heqin dorë nga dashurija që kanë te buka me helm e qeverisë” . Dhe, si shembull jepte një nga këshillat e Adam Smith në ekonomi politike për rastin britanik: ”Tregëria dhe mjeshtërija e ndritoi Ingliterënë”. Më kot. Gjysmë shekulli më vonë, ai do të vdiste i vetmuar në një dhomë hoteli në Nju Jork, por shumë pak nga idetë e tij do të përthitheshin ndër shqiptarë. I kanalizuar me një forcë politike që nuk i përballi dot komunistët, tregoi se reflektimi duhet të fillonte në vetë këto njësi tek Balli Kombëtar. Më shumë se një shekull më pas, shqiptarët jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime, por sot të përballësh një autoritet (lexo pushtetar) në Shqipëri është gati e pamundur. Studiuesit e shkencave politike bashkojnë si arsye këtu trashëgiminë e shkuar (shpesh e bëjnë këtë, lidhur me Osmanët), por edhe vlerat që një popull ndërton si koncept ndryshe për politikën dhe sidomos gjyqësorin. Kjo e fundit e lidhur me besimin ndër njerëz si pushteti i vetëm që mund të bëjë ndryshimin dhe ta ndihmojë. Por pushteti politik në Shqipëri jo vetëm nuk sfidohet, ndërsa precedentët e shkuar jo thjesht nuk korrigjohen dhe të ishte nxjerrë mësim, por thjesht sa theksohen. Autoriteti i pamat i Zogut që përfundoi si monark, u mbyll vetëm me pushtimin fashist të vendit. Autoriteti i Komunizmit nën Enver Hoxhën dhe pushteti i Alisë tek ne u sfidua nga ekonomia e shkalafitur shqiptare por më shumë se kaq nga trendi ndërkombëtar që kulmoi me Rënien e Murit të Berlinit, ashtu siç ndodhi rënia e Berishës në ‘98 vetëm falë Skemave Piramidale. Në të vetmin rast ndryshe, ish-kryeministri Fatos Nano, duket se duke qenë tejet i nginjur me pushtetin, pëlqeu më shumë të tërhiqej pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme duke lënë një precedent të paarritshëm në politikën tonë. Përpjekjet e mëpastajme të ngjitej në postin e presidentit të vendit rezultuan bosh. Autoriteti i tij kishte firuar bashkë me të gjithë infrastrukturën për ta mbajtur atë. Të tjerë lojtarë u shfaqën në skenë, për ta ruajtur status quonë tonë politike dhe kulturore.