Hetimet mbi aksidentin tragjik në Fushë-Prezë, ku humbën jetën katër të rinj, kanë zbuluar detaje të reja tronditëse. Betonierja me të cilën u përplas automjeti i tyre ishte ndalur në rrugë për shkak të mungesës së karburantit. Shoferi i saj, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, ishte larguar për të marrë naftë në një karburant pranë zonës, por kishte harruar të aktivizonte bllokazhin e mjetit.
Për më tepër, ai nuk kishte vendosur as trekëndëshin e rrezikut për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të automjeteve. Si pasojë, mjeti “Benz” me të cilin udhëtonin Eneid dhe Erild Laçi (25 dhe 20 vjeç), Andi Laçi (22 vjeç) dhe Endrikejd Kurti (24 vjeç), u përplas me betonieren dhe shpërtheu në flakë.
Pas aksidentit, Krrashi u largua nga vendi i ngjarjes me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, i cili tashmë është arrestuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Pengim të zbulimit të së vërtetës”. Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe menaxheri i firmës së betonit, Danjel Koxha, ndërsa administratori i kompanisë është shpallur në kërkim.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse ka pasur shkelje të tjera të sigurisë që çuan në këtë tragjedi të rëndë.