Pikat kryesore
- Më 18 dhjetor përfundon mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme, periudhë gjatë së cilës SPAK ka hetuar figura të larta politike dhe grupe kriminale ndër më të rrezikshmit në vend.
- Procesi nis në orën 09:00, me intervistimin e katër kandidatëve që garojnë për postin më të lartë të strukturës speciale.
- Katër kandidatët sjellin profile të ndryshme dhe eksperienca të thelluara në hetimet më të rëndësishme të SPAK-së, ndërsa gara për postin e kreut të ri pritet me interes të lartë nga publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.
Më 18 dhjetor përfundon mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme, periudhë gjatë së cilës SPAK ka hetuar figura të larta politike dhe grupe kriminale ndër më të rrezikshmit në vend. Për këtë, sot, më 11 dhjetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvillon një nga mbledhjet më të rëndësishme të vitit, atë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Procesi nis në orën 09:00, me intervistimin e katër kandidatëve që garojnë për postin më të lartë të strukturës speciale. Në garë për të marrë drejtimin e institucionit më të rëndësishëm antikorrupsion janë katër prokurorë të SPAK, të gjithë me eksperiencë të gjatë dhe rekorde hetimesh në çështje të ndjeshme: Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Katër kandidatët sjellin profile të ndryshme dhe eksperienca të thelluara në hetimet më të rëndësishme të SPAK-së, ndërsa gara për postin e kreut të ri pritet me interes të lartë nga publiku dhe partnerët ndërkombëtarë. Doloreza Musabelliu, e emëruar në vitin 2004, është prokurore e SPAK-ut me një rol të rëndësishëm në hetimin e çështjeve komplekse. Ajo ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve të dosjes së njohur “ Plumbi i Artë ” , ku bashkëpunëtorë të drejtësisë zbuluan dhjetëra krime të ndodhura ndër vite. Ndër hetimet e saj më të rëndësishme është edhe masakra e vitit 2017 në qendër të Lushnjës, ku ajo kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit.