Ish-banorja e “Big Brother Vip Albania 2”, Fotini Derxho, ka vendosur të hedhë një hap të ri në karrierën e saj, duke u futur në politikë. Ajo do të kandidojë për deputete në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku është renditur e para në listën e Partisë Mundësia për Qarkun e Gjirokastrës.

Megjithatë, mundësitë që ajo të sigurojë një mandat në Kuvend duken të vogla, për shkak të numrit të kufizuar të deputetëve që zgjedh ky qark. Në zgjedhjet e kaluara, Partia Socialiste siguroi tre mandate, ndërsa Partia Demokratike mori vetëm një mandat në këtë zonë, duke lënë pak hapësirë për forcat e reja politike.
Fotini Derxho është me origjinë nga Lazarati i Gjirokastrës dhe një pjesë të jetës së saj e ka kaluar në emigracion. Ajo u bë e njohur për publikun shqiptar pasi fitoi edicionin e “Big Brother Albania 9”, për t’u rikthyer më pas në qendër të vëmendjes me pjesëmarrjen e saj në “Big Brother Vip Albania 2”.
Pavarësisht sfidave në politikë, kandidimi i saj pritet të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, duke shfaqur një tjetër anë të ish-fitueses së reality show-t të njohur.