Pikat kryesore
- E njohur prej vitesh si “nëna dhe gjyshja” e shumë familjeve shqiptare, Lira Gjika thotë se sot fëmijët po rriten me më shumë teknologji, por me më pak vëmendje emocionale.
- Sipas saj, prindi është fizikisht pranë, por mendërisht shpesh mungon dhe kjo krijon boshllëqe që më vonë shfaqen si ankth, agresivitet apo pasiguri.
- Ajo ndalet fort tek presioni që shoqëria vendos mbi nënën moderne.
“Nuk po dështojmë si prindër qëllimisht… por po neglizhojmë.” Kjo është kambana e fortë që ngre mjekja pediatre Lira Gjika në studion e “ABC e Mëngjesit”, teksa flet për një nga krizat më të mëdha të shoqërisë moderne: mungesën e lidhjes emocionale mes prindërve dhe fëmijëve. E njohur prej vitesh si “nëna dhe gjyshja” e shumë familjeve shqiptare, Lira Gjika thotë se sot fëmijët po rriten me më shumë teknologji, por me më pak vëmendje emocionale. Sipas saj, prindi është fizikisht pranë, por mendërisht shpesh mungon dhe kjo krijon boshllëqe që më vonë shfaqen si ankth, agresivitet apo pasiguri. Ajo ndalet fort tek presioni që shoqëria vendos mbi nënën moderne. “Nënës sot i kërkohet të jetë perfekte në çdo rol: profesioniste, bashkëshorte dhe prind. Por perfekti nuk ekziston. Fëmijës nuk i duhet një nënë perfekte, por një nënë emocionalisht e pranishme”, shprehet Gjika. Pediatrja thekson se shëndeti mendor fillon që në fëmijëri dhe shumë probleme të moshës madhore lidhen pikërisht me përvojat e hershme emocionale. Për këtë arsye, ajo e konsideron prindërimin e ndërgjegjshëm si një nga çelësat kryesorë të një familjeje të shëndetshme. Sipas saj, shoqëria shqiptare ende ka frikë të flasë hapur për problemet emocionale dhe shpesh emocionet shtypen me fraza si “mos qaj”, “mos u mërzit” apo “bëhu i fortë”. Por emocioni, thotë ajo, nuk zhduket kurrë. Ai vetëm transformohet dhe më vonë shpërthen në forma më të rënda. Një tjetër alarm i fortë lidhet me përdorimin e teknologjisë tek fëmijët. “Situata është alarmante. Shohim foshnje 40-ditëshe me telefon në dorë. Tregojuni përralla fëmijëve”, apelon Gjika. Ajo paralajmëron se ekspozimi i gjatë ndaj ekraneve po dëmton aftësinë e fëmijëve për të komunikuar, për të lexuar emocionet dhe për të krijuar empati. Lira Gjika ndalet edhe tek fenomeni i fëmijëve që i thonë vazhdimisht prindit “mami të kam xhan”. Sipas saj, kjo nuk është gjithmonë shenjë dashurie, por shpesh tregues ankthi dhe pasigurie emocionale tek fëmija. Në fund, ajo ka një mesazh të fortë për të gjithë prindërit: “Mos u përpiqni të krijoni fëmijë perfektë, por njerëz emocionalisht të shëndetshëm. Flisni me ta, dëgjojini dhe mbi të gjitha duajini pa kushte.” –tha mjekja e njohur. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Obama “ndërron” mendje/ “UFO-t nuk ekzistojnë, do doja t’i drejtoja nëse vijnë në Tokë” “Korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor”/ SPAK dërgon për gjykim ish-oficerin e policisë gjyqësore Igli Haxhiaj San Antonio reagon si kampion/ Pesë herë kampionët në NBA fitojnë thellë sfidën e dytë