Historike në Tuz, partitë shqiptare në Mal të Zi bashkojnë forcat politike, krijohet…

Historike në Tuz, partitë shqiptare në Mal të Zi bashkojnë forcat politike, krijohet…

Pikat kryesore

  • Marrëveshja e bashkimit u nënshkrua nga lideri i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar Ferhat Dinosha dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve Ivan Ivanaj.
  • Prezantimi u bë të shtunën në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, ku Gjeloshaj, e cilësoi këtë bashkim si një moment historik dhe një investim për të ardhmen e shqiptarëve.
  • ““Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë.

Tre subjekte politike shqiptare në Mal të Zi kanë zyrtarizuar bashkimin e tyre në një forcë të vetme politike me emrin Forumi Shqiptar, në një lëvizje që synon forcimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet vendore dhe qendrore të vendit. Marrëveshja e bashkimit u nënshkrua nga lideri i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar Ferhat Dinosha dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve Ivan Ivanaj. Në krye të subjektit të ri pritet të jetë zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili do të udhëheqë procesin e konsolidimit organizativ dhe politik deri në mbajtjen e Kongresit themelues. Prezantimi u bë të shtunën në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, ku Gjeloshaj, e cilësoi këtë bashkim si një moment historik dhe një investim për të ardhmen e shqiptarëve. Sipas tij, bashkëpunimi i deritanishëm mes forcave politike shqiptare ka sjellë rezultate të rëndësishme në nivel lokal dhe qendror, ndërsa krijimi i një subjekti të vetëm politik do të forcojë më tej zërin e shqiptarëve në Mal të Zi. ““Për të gjithë qytetarët shqiptarë në Mal të Zi, ky bashkim ka një domethënie të veçantë. Ne kemi funksionuar deri më tani si koalicione të ndryshme dhe me shumë sukses. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi kemi arritur disa nga rezultatet më historike që kanë pasur shqiptarët në Mal të Zi. Megjithatë, kemi parë nevojën që të shkojmë një hap më tej dhe të ndërtojmë një subjekt të vetëm politik, jo vetëm për sot, por edhe për gjeneratat e ardhshme, si një garanci për unitetin shqiptar. Ky është subjekti i vetëm politik shqiptar në Mal të Zi që përfaqëson shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetojnë, pasi ne jemi të pranishëm në disa komuna dhe jemi adresa e parë politike e shqiptarëve. Ne si shqiptarë, kudo që jemi, shpesh na vjen ndër mend ajo fjala se nuk jemi unikë dhe nuk jemi të bashkuar. Madje, për fat të keq, kjo është përsëritur shpesh ndër vite. Por ne kemi vendosur të dëshmojmë të kundërtën. Kemi nisur në Tuz dhe po përcjellim një mesazh për të gjithë shqiptarët: asnjë proces nuk mund të bëhet vetëm. Pa unitet, pa unifikim dhe pa strategji të përbashkët, është shumë më e vështirë të realizohen objektivat. Kjo vlen edhe për Shqipërinë, sidomos sot në procesin e integrimit europian. Sa më unikë të jemi, aq më i fortë bëhet përfaqësimi ynë dhe aq më të shpejta bëhen proceset që lidhen me të ardhmen europiane të shqiptarëve kudo që jetojnë” deklaroi Gjeloshaj, duke shtuar se mesazhi i këtij bashkimi shkon për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Edhe Ferhat Dinosha dhe Ivan Ivanaj e vlerësuan këtë zhvillim si një hap historik drejt forcimit të faktorit politik shqiptar që pritet të sjellë një përfaqësim më të unifikuar të komunitetit shqiptar në Mal të Zi. Ata deklaruan se dera mbetet e hapur edhe për partitë e tjera shqiptare që nuk iu bashkuan sot këtij procesi.

Lini një Përgjigje