Pikat kryesore
- Gjykata e Lartë vendosi rishikimin e praktikës gjyqësore të masës së arrestit me burg.
- Kolegjet e Bashkuara të gjyqtarëve qartësojnë se vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative.
- Por, për juristin Kreshnik Spahiu edhe pse ky është një vendim historik, sipas tij duhet të ishte marrë më herët, pasi burgjet shqiptare janë mbushur me të paraburgosur për vepra penale “ordinere”, siç i cilëson ai.
Gjykata e Lartë vendosi rishikimin e praktikës gjyqësore të masës së arrestit me burg. Kolegjet e Bashkuara të gjyqtarëve qartësojnë se vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative. Sipas gjyqtarëve të lartë, duhet të argumentohet me prova se pse duhet vazhduar një masë arrest me burg dhe jo e kundërta, si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale. Por, për juristin Kreshnik Spahiu edhe pse ky është një vendim historik, sipas tij duhet të ishte marrë më herët, pasi burgjet shqiptare janë mbushur me të paraburgosur për vepra penale “ordinere”, siç i cilëson ai. Spahiu thotë se ndërhyrja e Gjykatës së Lartë është e drejtë dhe do të përmirësojë pjesërisht reflektimin për dhënien e masave të sigurimit. Por sipas tij, ky vendim nuk është zgjidhje përfundimtare nëse Kuvendi nuk ndërhyn për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. “Duhet të ishte bërë më herët kur burgjet shqiptare ishin të mbushur plot me të paraburgosur për vepra ordinere, shpesh herë edhe kundërvajtje, mijëra shqiptarë presin në paraburgim për vite me radhe për shkak të vonesave në proceset gjyqësore, mosrespektimit të aftëve. Jo vetëm Gjykata e Lartë, por edhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të kishte reaguar më shpejt. Vjen nga sensibilizimi politik dhe ndonëse ndërhyrja është e drejtë, rekomandimet janë ligjore, hapja e një praktike nga Gjykata e Lartë do përmirësojë pjesërisht reflektimin për dhënien e masave të sigurimit, kjo e nuk e zgjidh përfundimisht. Duhet ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, Gjykata e Lartë ka dhënë rekomandime për mënyrën e praktikës dhe arsyetimit që duhet të japin gjykatat apo kërkesat që duhet bëjnë prokurorët për dhënien e masës më shtrënguese të arrestit me burg, por s’mund të ndryshojnë rrethanat. Është Kodi i Procedurës Penale që orienton procesion dhe detyron gjykatat për rastet në të cilat jepet arresti me burg. Reflektimi nuk mund të bëhet vetëm kur politika frikësohen nga arresti me burg. Sensibiliteti ndërkombëtar apo debati mediatik është hapur se janë rënduar masat e arrestit me burg për politikanët jo se burgjet ishin mbushur plot. Është ndërhyje e drejtpërdrejtë, jo në kohën duhur dhe s’do ta përmirësojë procesin penal dhënien e masave të arrestit”, thekson Spahiu në Report Tv. Spahiu kritikoi masat e ashpra të arrestit, duke thënë se nuk sjellin asgjë. Juristi thekson se masat represive mund të kthehen në boomerang nëse personat e arrestuar marrin pafajësi nga gjykata. “Realiteti në Shqipëri tregon paradoks, sa më shumë janë arrestuar aq më shumë është thelluar korrupsioni. Kuptoj që ka njerëz të etur për arrestime dhe sekuestrime për shkak të zhgënjimit nga keqqeverisja, kjo mund të përmbushë vetëm një hakmarrje ndaj disa individëve, por sot nuk ka zgjidhur gjë. Nuk ka ulje të nivelit të korrupsionit pas arrestimit të disa politikanëve. Korrupsioni është më i thellë se inkriminimi i disa individëve, kur korruptohet i gjithë sistemit tenton të bëjë pis të gjithë ambientin. Masat represive janë parapake, mund të kthehen në boomerang nëse personat e arrestuar marrin pafajësi. Kur të vijë marrja e vendimit mund të kthehet në boomerang. Realiteti shqiptar duhet të ketë edhe një qasje tjetër të problematikave që po ndeshim, sa më shumë arrestime, sa më shumë korrupsion. Vështirë se masa represive të arrestit sjellin ndryshim. Ndëshkueshmëria është gjë tjetër, arrestimi gjë tjetër”, tha Spahiu.