Pikat kryesore
- Banka Botërore na bëri një paralajmërim të rëndësishëm, që nuk duhet keqkuptuar: Shqipëria ka marrë drejtimin e gabuar, edhe pse do të vazhdojë të rritet ekonomikisht.
- Ekonomia do të zgjerohet, e mbështetur nga turizmi, konsumi dhe ndërtimi.
- Por, në të njëjtën kohë, raporti i Bankës Botërore na e bën të qartë se kjo rritje është e ekspozuar, e varur dhe e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme.
Banka Botërore na bëri një paralajmërim të rëndësishëm, që nuk duhet keqkuptuar: Shqipëria ka marrë drejtimin e gabuar, edhe pse do të vazhdojë të rritet ekonomikisht. Ekonomia do të zgjerohet, e mbështetur nga turizmi, konsumi dhe ndërtimi. Por, në të njëjtën kohë, raporti i Bankës Botërore na e bën të qartë se kjo rritje është e ekspozuar, e varur dhe e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme. Me pak fjalë: Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi të fortë. Po ndërton një rritje të rrezikshme. Dhe këtu nis shqetësimi i vërtetë. Njerëzit nuk e përjetojnë rritjen ekonomike përmes raporteve. Ata e përjetojnë nëpërmjet jetës së përditshme. Dhe jeta e përditshme na tregon një tjetër histori: Ushqimi është i shtrenjtë, karburanti është i shtrenjtë dhe shërbimet po shtrenjtohen çdo ditë. Pra, ndërsa ekonomia rritet në letër, presioni mbi njerëzit vazhdon të rritet përmes çmimeve. Kjo është kontradita e parë që raporti i Bankës Botërore zbulon në mënyrë indirekte, por që askush nuk po flet. Rritja ekziston, por nuk po përmirëson jetën e njerëzve. Gjithashtu, Banka Botërore thotë se rritja e Shqipërisë është e lidhur fort me turizmin. Ky nuk është një argument që mbështet rritjen. Është paralajmërim. Sepse një ekonomi që varet nga turizmi, nuk është e qëndrueshme. Është e brishtë. Dhe turizmi varet nga stabiliteti global, kostot e udhëtimi dhe kërkesa e jashtme. Të gjithë janë faktorë që Shqipëria nuk i ka në dorë. Nuk është e rëndësishme se sa turizëm kemi ne sot. E rëndësishme është të kuptojmë se na duhet një motor i dytë zhvillimi, kur turizmi të ngadalësohet. Nga ana tjetër, tregu i punës paraqet të njëjtën dobësi. Në të gjithë rajonin, krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar me shpejtësi, duke arritur në thuajse zero rritje. Situata në Shqipëri është edhe më e keqe. Të rinjtë kanë vështirësi të gjejnë një vend pune të qëndrueshëm. Një pjesë pranojnë paga të ulëta ose punë të përkohshme. Shumë po largohen plotësisht nga vendi. Në të njëjtën kohë, biznesi po ankohet se nuk gjen më forcë punëtore. Epo, kjo është rastësi shumë e madhe për një vend kaq të vogël. S’do të thotë gjë tjetër veçse sistemi nuk po funksionon. Arsimi nuk është fare i përafruar me tregun e punës. Ekonomia nuk po krijon vendet e “duhura” të punës. Dhe potenciali njerëzor po shpërdorohet. Raporti i Bankës Botërore thekson një çështje edhe më të thellë: presionin demografik. Rajoni, përfshirë edhe Shqipërinë, po përballet me plakje/rënie të popullsisë dhe emigrim masiv, që nuk është vetëm një fenomen social. Është kërcënim ekonomik. Më pak njerëz do të thotë më pak punëtorë, produktivitet më të ulët dhe rritje ekonomike afatshkurtër. Si mundet që një vend të ndërtojë një ekonomi të fortë, ndërkohë që po humb popullsinë e vet? Ndërkohë, Shqipëria nuk po e shfrytëzon potencialin e saj të plotë njerëzor. Banka Botërore thotë se gratë dhe të rinjtë mbeten nën potencialin e shfrytëzimit në tregun e punës. Këtë e konfirmoi edhe INSTAT. Deri në fund të vitit 2025, në Shqipëri punojnë vetëm 51.9% e grave të afta për punë. Kjo është edhe një prej pikave më kritike në raportin e Bankës Botërore, sepse tregon që problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e njërëzve, por mungesa e përfshirjes dhe efikasitetit. Pra, ne jo vetem që po humbasim njerëzit, por po dështojmë edhe në shfrytëzimin e atyre që na kanë mbetur. Të gjithë këta elementë na orientojnë drejt modelit të rritjes së aplikuar sot nga qeveria. Një model që bazohet në turizëm, konsum dhe ndërtim, por jo në prodhim, industri dhe eksport. Ky është një nga modelet më të dobëta ekonomike që ka parë ndonjëherë Shqipëria, sepse krijon një sistem të brishtë, ku vendi konsumon më tepër se sa prodhon dhe për të mbështetur rritjen, varet vetëm nga faktorët e jashtëm. Zgjidhjet nuk janë të komplikuara. Ato thjeshtë nuk po zbatohen. Kosto e jetesës duhet të trajtohet seriozisht, duke filluar nga ulja e taksimit të karburantit, që dikton drejtpërdrejtë çmimet e tjera. Ekonomia duhet të diversifikohet, ku bujqësia, prodhimi vendas dhe industria duhet të kthehen në përparësitë e vërteta. Vendet e punës duhet të bëhen të qëndrueshme dhe jo të përkohshme apo sezonale. Largimi i të rinjve duhet të trajtohet si një emergjencë kombëtare. Gratë duhet të integrohen sa më parë në tregun e punës. Dhe arsimi duhet të përputhet me nevojat e ekonomisë. Për sa kohë kemi rritje ekonomike, Shqipëria nuk mund të quhet se është në krizë. Por, po lëviz në drejtimin e gabuar. Dhe kjo është më e rrezikshme se vetë kriza, sepse krijon iluzionin se gjithçka po funksionon. Parashikimi i Bankës Botërore se do të kemi rritje prej 3.4% nuk është rast për të festuar. Është paralajmërim. Një paralajmërim që thotë se Shqipëria mund të vazhdojë të rritet në drejtim të gabuar, e varur nga turizmi, ndërtimi dhe fati që i vjen nga jashtë.