Pak ditë më parë, një bisedë mes Edisës dhe Juelës bëri xhiron e rrjetit, duke ndezur diskutime të shumta në publik. Dy vajzat hodhën dyshime se mes Brikenës dhe moderatorit të programit, Ledion Liço, mund të ekzistojë një simpati e ndërsjellë. Aludimet e tyre u shoqëruan me një imitim ironik të shenjës së zemrës që Brikena bën shpesh drejt ekranit gjatë spektaklit.
Megjithatë, duket se kjo bisedë nuk i ka shpëtuar aspak vëmendjes së moderatorit. Ledion Liço ka zgjedhur t’i përgjigjet situatës me po të njëjtën monedhë, por me shumë sportivitet dhe humor.
Në hapje të spektaklit të mbrëmshëm, sapo zbriti në skenë, moderatori iu drejtua ish-banoreve të ulura në panel pikërisht me shenjën e famshme të zemrës me gishta. Gjesti nuk kaloi pa u vënë re dhe u interpretua menjëherë si një reagim ndaj aludimeve që kishin qarkulluar më parë.
Për ta bërë “kunjën” edhe më të qartë dhe për të ironizuar drejtpërdrejt komentet e bëra nga Edisës, ai e shoqëroi momentin me një batutë që shkaktoi të qeshura në studio:
“Jo se do thonë edhe për ju që ju kam qejf, po ju jeni jashtë.”
Reagimi u prit me humor nga publiku dhe paneli në studio. Përmes kësaj ironie të hollë, moderatori tregoi se është në dijeni të çdo thashethemi që qarkullon brenda dhe jashtë shtëpisë, duke zgjedhur t’u përgjigjet me stil dhe batutë, në vend të polemikave.