E VERTETA E ARRESTIMIT TË ISH-DREJTORESHES IRINI SHEHU! Akuzohet për pärndjekje ndaj drejtorit të spitalit dhe kryetarit të PS, Rruzhdi Deda!

Pasditen e sotme, ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës, Irini Shehu, është vënë në pranga nga Policia, vetëm pak javë pas shkarkimit të saj nga posti drejtues. Arrestimi i saj është kryer me urdhër të Prokurorisë së Dibrës, pas akuzave për përndjekje ndaj drejtorit aktual të spitalit, Rruzhdi Deda, i cili mban edhe postin e kryetarit të Partisë Socialiste në këtë qark.

Sipas burimeve për mediat, pavarësisht ndalimit të dhënë nga autoritetet, Shehu është paraqitur sërish në ambientet e spitalit, ku thuhet se ka pasur përplasje verbale me disa punonjës të institucionit. Kjo sjellje e përsëritur ka çuar në ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër bënë arrestimin në flagrancë të 44-vjeçares nga Peshkopia, e identifikuar me inicialet I.Sh., e cila tashmë përballet me akuzën penale të “Përndjekjes”.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, ndërsa pritet që ditët në vijim të hedhim më shumë dritë mbi motivet dhe përmasat e kësaj çështjeje, që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik lokal.

Lini një Përgjigje