Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Roxhensa Kapuranin, vajzën e këngëtares së njohur Eli Fara, e njohur gjithashtu me emrin Marina Fara. Vendimi u mor pas ndalimit të saj më 21 gusht nga forcat “Shqiponja” në zonën e Vorës, gjatë një kontrolli rutinë.

Gjatë kontrollit, në automjetin e 39-vjeçares u gjetën 2.4 gramë kokainë. Para trupës gjykuese, Kapurani deklaroi mes lotësh se substanca narkotike ishte vetëm për përdorim vetjak dhe nuk kishte lidhje me veprimtari të tjera të paligjshme. Pavarësisht pretendimeve, gjykata vendosi që ajo të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërkohë që hetimet për rastin do të vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Ky nuk është rasti i parë që emri i Marina Farës lidhet me hetime për çështje të ngjashme. Ajo ka qenë më herët e përfshirë në dosjen e operacionit “Mezhgorani”, ku u arrestuan mbi 30 persona të dyshuar për trafik narkotikësh, dhe ku dyshohej për ndihmën e mundshme në arratisjen e dy të dyshuarve.
Hetuesit po verifikojnë nëse ky episod i fundit ka lidhje me çështjet e mëparshme apo bëhet fjalë vetëm për përdorim personal, siç pretendon Kapurani.