Ish-banorja e “Big Brother Vip”, Jori Delli, ka ndarë një rrëfim prekës në InstaStory mbi arsyen e mungesës së saj nga rrjetet sociale. Modelja zbuloi se babai i saj, gjatë një vizite në Shqipëri, pësoi një infarkt dhe për pak humbi jetën.
“Fatmirësisht, vëllai im e çoi me kohë në spital,” – shkruan Jori, por tregon se në Vlorë nuk mori kujdesin e duhur. Spitali, sipas saj, “nuk është aspak i përgatitur për raste emergjente”, duke e detyruar që babai i saj të transferohej drejt Tiranës. Vetëm pas një udhëtimi disa orësh, ai arriti në QSUT, ku falë përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, operacioni rezultoi i suksesshëm dhe i shpëtoi jetën.
Në mesazhin e saj, Jori nuk kurseu falënderimet për ekipin mjekësor të kryeqytetit dhe bëri një apel të fortë për investime në shëndetësi:
“Me shpresën që shteti shqiptar të vendosë të investojë jo vetëm në turizëm dhe infrastrukturë, por – mbi të gjitha – në shëndetësi, duke vënë shëndetin dhe jetën e qytetarëve në vend të parë.”
Ky rrëfim emocional ka ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit, duke sjellë një valë mbështetjeje dhe urimesh për shërimin e babait të saj.
