Pikat kryesore
- Gjatë bashkëbisedimit, ministri theksoi rëndësinë e ndarjes së dijes dhe përvojës si një bazë e domosdoshme për ndërtimin e një brezi të ri profesionistësh në diplomaci.
- Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për diplomatë të rinj, të pajisur me aftësi bashkëkohore dhe vizion, për t’iu përgjigjur një bote gjithnjë e më dinamike dhe për të përballuar me sukses procesin e integrimit evropian.
- “Dija dhe përvoja marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm kur ndahen dhe transmetohen te brezi i ri.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar këtë të martë, më 28 prill, një takim me brezin e ri të diplomatëve, ku në fokus ishte roli i të rinjve në forcimin e shërbimit diplomatik shqiptar dhe sfidat e së ardhmes. Gjatë bashkëbisedimit, ministri theksoi rëndësinë e ndarjes së dijes dhe përvojës si një bazë e domosdoshme për ndërtimin e një brezi të ri profesionistësh në diplomaci. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për diplomatë të rinj, të pajisur me aftësi bashkëkohore dhe vizion, për t’iu përgjigjur një bote gjithnjë e më dinamike dhe për të përballuar me sukses procesin e integrimit evropian. “Dija dhe përvoja marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm kur ndahen dhe transmetohen te brezi i ri. E nisa ditën me një bashkëbisedim të hapur dhe dinamik me brezin e ri të diplomatëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Diskutuam për plane dhe ambicie, dëshira e projekte, por mbi të gjitha për rëndësinë e përcjelljes së dijes dhe përvojës në shërbimin e jashtëm, si një themel i domosdoshëm për ndërtimin e një brezi të ri diplomatësh për Shqipërinë që duam. Vendi ynë ka nevojë për një brez të ri diplomatësh, të pajisur me aftësitë dhe vizionin për të përballuar një botë gjithnjë e më dinamike, si dhe plotësisht të sinkronizuar me ritmin e ri të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Prandaj, një diplomaci e hapur ndaj talenteve të reja është thelbësore për Shqipërinë 2030”, tha Hoxha, duke shtuar se në këtë kuadër janë hapur edhe dy thirrje të rëndësishme , njëra për krijimin e një rezerve të strukturuar talentesh dhe një tjetër për përfshirjen e të rinjve në misionin shqiptar pranë Bashkimit Evropian. “Investimi te të rinjtë sot është garancia për një shërbim diplomatik më të fortë nesër dhe për një Shqipëri që ecën me siguri drejt familjes evropiane.”, shton kreu i diplomacisë shqiptare.