Pikat kryesore
- Po mbahet këtë të hënë, 27 prill, mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
- Braho po paraqet në mënyrë të përmbledhur të dhënat për punën e SPAK gjatë vitit 2025, kohë kur institucioni është drejtuar nga Altin Dumani.
- “Në krahasim me vitin 2024, ky raport thuajse është dyfishuar ”, theksoi ai, referuar volumit të çështjeve dhe efektivitetit në hetim.
Po mbahet këtë të hënë, 27 prill, mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në seancë ndodhet i pranishëm kreu i Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Klodian Braho, i shoqëruar nga Vladimir Mara (shef i seksionit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit), Dorina Bejko (shefe e seksionit kundër korrupsionit) dhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta. Braho po paraqet në mënyrë të përmbledhur të dhënat për punën e SPAK gjatë vitit 2025, kohë kur institucioni është drejtuar nga Altin Dumani. “Në krahasim me vitin 2024, ky raport thuajse është dyfishuar ”, theksoi ai, referuar volumit të çështjeve dhe efektivitetit në hetim. Deklaroi se gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 870 procedime penale, ndërsa vendimet e fajësisë përbëjnë 87% të totalit, duke e cilësuar këtë si një tregues të efektivitetit të lartë të institucionit. Ai shtoi gjithashtu se masat e sigurimit “arrest me burg” kanë pësuar rënie krahasuar me vitin 2024. Nënvizoi se rekurset në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion janë ulur ndjeshëm. Tha se janë konfiskuar 100 mijë euro pasuri të zyrtarëve të lartë që janë nën hetim. “Kemi pasur 6 skuadra të përbashkëta hetimore, në koordinim me autoritetet e huaja” , shtoi Braho. Sfidë mbetet sipas tij, hetimi i korrupsionit të zyrtarëve të lartë, megjithatë tha se lufta në këtë drejtim është një angazhim i përditshëm i SPAK-ut. “Do vijojmë me paanësi dhe integritet, duke garantuar që askush të mos jetë mbi ligjin” , përfundoi kreu i SPAK.