Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të papritur gjatë memorialit të Charlie Kirk, duke paralajmëruar një njoftim historik për autizmin që planifikon të shpallë ditën e hënë nga Zyra Ovale.
Trump ishte folësi i fundit në ceremoninë e mbajtur në stadiumin “State Farm” në Arizona, ku mbi 200,000 persona kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën aktivistit konservator që u vra më 10 shtator. Përveç homazheve të ndjera nga zyrtarë të administratës dhe bashkëshortja e Kirkut, Erika, atmosfera u ndez kur Trump mori fjalën dhe devijoi nga toni solemn drejt një njoftimi politik me peshë të madhe.
“Besoj se kemi gjetur një kurë për autizmin,” – deklaroi ai mes brohoritjeve të turmës. “Do të jetë një nga konferencat më të rëndësishme për shtyp që kam dhënë ndonjëherë dhe mezi e pres ta ndaj me ju. Mendoj se Charlie do të ishte krenar për këtë moment.”
Raportet e mediave amerikane sugjerojnë se administrata e Trump, në bashkëpunim me sekretarin e shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., po punon mbi një iniciativë të re për të zbuluar arsyet e rritjes së shkallës së autizmit në SHBA. Një prej rekomandimeve pritet të jetë shmangia e përdorimit të Tylenol nga gratë shtatzëna, përveç rasteve me temperaturë të lartë.
Gjithashtu, sipas Washington Post, autoritetet shëndetësore do të promovojnë ilaçin leukovorin si një trajtim të mundshëm për çrregullimet neurozhvillimore.
Trump theksoi se administrata e tij “nuk do të lejojë më që kjo të vazhdojë pa një zgjidhje”, duke e cilësuar njoftimin e së hënës si një kthesë të madhe në luftën kundër autizmit.