Pikat kryesore
- S’ka asgjë të keqe në fakt, kishte nevojë dhe PE për Belerin, me sa duket, nga radhët e zanateve!
- E themi këtë sepse në zgjedhjet e 11 majit, Berisha dhe partia e Metës bënë fushatë duke pasur Belerin në podiumin e nderit, si të dërguar të shtetit grek por dhe duke e paraqitur si të dërguar të Parlamentit Evropian.
- Ndërsa takimet e Berishës në Athinë u organizuan nën kujdesin e Belerit!
Nga Jakin Marena Nëse ka një gjë që i bashkon në një të vetëm tre emrat e përmendur që në titull, Fredi Belerin, Sali Berishën dhe Ilir Metën, është qasja e njëjtë që kanë, në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri, procesin e integrimit dhe ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend! Nuk duam të arrijnë në konkluzione të parehatshme për ta apo për shqiptarët, në akuza që rëndojnë cilindo prej këtyre të treve, por ama s’ mund të heshtim në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të tyre, për të nxirë në një mënyrë apo tjetër dhe intensivisht Shqipërinë, jo vetëm në sytë e shqiptarëve kudo që janë, por dhe të ndërkombëtarëve! Akuzat ndaj qeverisjes së vendit nuk kanë të bëjnë me keqqeverisjen, por në përpjekjet për të paraqitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që po na mbështesin në rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE, si një narko-shtet, të kapur nga mafia vendase dhe ndërkombëtare dhe si një vend që përbën rrezik potencial për BE dhe për vetë SHBA! Dhe kjo është ligësi! Madje Berisha, Beleri por dhe Meta që nga qelia e paraburgimit në burgun 3013, kanë artikuluar akuza të tilla, deri në thirrje ndaj Brukselit për të vendosur kushte të rënda për integrimin në Union, me argumentin se me këtë qeverisje të drejtuar nga Rama, vendi ynë nuk është gati për të bërë hapin e madh, mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030! Pavarësisht se SHBA dhe BE i kanë injoruar këto akuza, pasi Trump ftoi në SHBA Ramën në kuadër të pjesëmarrjes në aktin themelues të Bordit të Paqes ndërsa Brukseli ka mbështetur fort Shqipërinë për integrimin, duke vlerësuar progresin që ka bërë, në të gjitha fushat, nxirja e vendit, etiketimet e paqëna përtej luftës politike normale, nuk ndalet nga këta njerëz! Nënvizojmë se, pavarësisht se në rrethana të tjera, Berisha e Meta duhej të ishin kundër Belerit, këtij eurodeputeti grek që ka hyrë në politikë përmes masakrës së Peshkëpisë ku u vranë nga komandot greke ushtarakët shqiptarë të kësaj pike kufitare si dhe ‘specializimit’ si hidraulik, me kategori të lartë thonë, apo misionit të tij të pamundur për helenizimin e jugut të Shqipërisë, dyshja drejtuese e opozitës shqiptare u bë bashkë dhe e propozoi Belerin si kandidat për kryetar bashkie në Himarë, në emër të koalicionit opozitar! Rrethanat e sollën që për shkak të akuzës për blerje votash të përfundonte në burg dhe të mos e merrte mandatin e kreut të bashkisë në Himarë, gjasat janë që të mos e marrë kurrë më, Beleri arriti që dhe falë mbështetjes që i dhanë Berisha e Meta duke akuzuar qeverinë shqiptare se po përndjek minoritetin grek apo se po përpiqet që të godasë minoritetin grek për çështje pronash, pra Beleri, teksa u shfaq si viktimë e ‘regjimit të Ramës’, u propozua dhe u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian, nga partia e Mitsotakis, për të përfaqësuar shtetin grek në Bruksel! S’ka asgjë të keqe në fakt, kishte nevojë dhe PE për Belerin, me sa duket, nga radhët e zanateve! Dhe që nga ajo kohë, ‘trioja’ nuk ka pushuar së foluri kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, për t’i paraqitur ata si ‘gogol’ në sytë e ndërkombëtarëve, dhe për më tepër vendin tonë si jo gati për të kaluar nëpër ‘stacionet’ e shpejta të integrimit për në BE, me fazë finale të pranuar dhe nga vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimin në vitin 2030! Ndërsa Beleri ka kohë që ka prezantuar linjën e tij politike kundër Shqipërisë, si progonatas që është dhe me të kaluar bejlerësh, ka nisur që të ndryshojë dhe theksin e shqipes duke i dhënë theks grek, linjë që përbën kolonën e përpjekjes së tij për helenizimin e Jugut të Shqipërisë dhe ringjalljes së të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, Berisha e Meta po sillen ndjeshëm si ‘ndihmës’ apo zëvendës të këtij “hidrauliku’ të certifikuar, që përfaqëson Greqinë në Parlamentin Evropian! E themi këtë sepse në zgjedhjet e 11 majit, Berisha dhe partia e Metës bënë fushatë duke pasur Belerin në podiumin e nderit, si të dërguar të shtetit grek por dhe duke e paraqitur si të dërguar të Parlamentit Evropian. Ndërsa takimet e Berishës në Athinë u organizuan nën kujdesin e Belerit! Dhe kjo sërish nuk ka asgjë të keqe, jemi fqinjë dhe përderisa respektohen rregullat e fushatës zgjedhore, pa asnjë ndërhyrje nga zyrtarët e vendit fqinj, gjithçka është normale! Tashmë së fundmi, me sa duket e ka ndjerë ‘erën e mirë’ nga Brukseli, që Shqipëria mund të anëtarësohet deri më 2030 në BE, kjo treshe ka nisur të ‘shkundë’ dosjet e vjetra, për të ngritur akuza të reja ndaj qeverisë Rama por dhe për të hequr barrën e fajit që kanë pasur vetë gjatë qeverisjeve të tyre, ndërkohë që janë nën hetim për shkak të zullumeve që kanë ndër vite në pushtet. Që në krye të herës ishte dëshira e ish presidentit Ilir Meta, i cili që nga qelia e burgut kërkoi që të pyetej për ngjarjen e 21 janarit 2011, ditë në të cilën Garda e Republikës, me urdhër nga lart, brenda godinës së kryeministrisë ishin kreu i qeverisë së asaj kohe Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, qëlloi me plumba prej vërteti mbi turmën e protestuesve të opozitës që po shpërndahej, duke vrarë katër prej tyre! Tani, vërtetë që Meta ishte ‘strumbullari’ për protestat e opozitës së atëhershme, pasi për shkak të publikimit të videos nga ana e Dritan Priftit, tashmë të ndjerë, ku shihej ashiqare korrupsioni i ofruar nga zv.kryeministri i asaj kohe, opozita u ngrit në protestë. Por ama Meta ka qënë i dorëhequr dhe në proces hetimi, dhe nuk kishte asnjë mundësi që të dinte se çfarë bëhej brenda kryeministrisë më 21 janar! Aq më tepër që vetë Berisha që ishte në zyrë, bën sikur s’di asgjë! Pavarësisht se SPAK nuk kishte se çfarë të kërkonte në dëshminë e Metës për të zbardhur sipas tij, të pathënat për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, deklaratat e mëpastajme të Metës zbuluan dhe atë çfarë deklaronte të arrinte, por që nuk kishte të bënte fare me ditën e tragjedisë, 21 janarin, por me shumë e shumë ditë përpara kësaj ngjarjeje, e formatuar në akuzën e përbashkët me Berishën se, Rama është fajtor për këtë ngjarje, pasi solli ai protestuesit para kryeministrisë!