Pikat kryesore
- Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm.
- Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e 9 nëntorit.
- Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Të dielën, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të rikthehen në qendrat e votimit për të përcaktuar se kush do t’i udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm. Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 12 tetor, njëzet komuna siguruan kryetarë të rinj, ndërsa 18 të tjerat do të vendosin në balotazhin e 9 nëntorit. Në këtë rund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore. Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti. Për më shumë se një dekadë, Prishtina ishte simbol i rivalitetit mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Prishtina, si komuna më e madhe e vendit, ka rëndësi ekonomike dhe politike, duke e kthyer fitoren aty në avantazh strategjik për çdo parti. Kjo, sipas Eminit, bën që fitorja në kryeqytet të përkthehet “në pushtet dhe ndikim në nivel nacional”. Pas Prishtinës, gara më e vëmendshme zhvillohet në Prizren, ku përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Artan Abrashi nga LVV-ja. Megjithëse Prizreni është komuna e dytë për nga rëndësia, sipas Eminit, koalicioni lokal mes LDK-së dhe PDK-së, si dhe epërsia e Totajt në rundin e parë, kanë bërë që Vetëvendosje “të mos investojë aktivisht në këtë garë, duke e kanalizuar energjinë në komunat ku ka më shumë gjasa”. Emini e konsideron këtë betejë si veçanërisht të rëndësishme për Vetëvendosjen dhe për udhëheqësin e saj, Albin Kurti. “… sepse Kurti e ka zhvilluar garën nacionale me ndryshimin e situatës në Mitrovicën e Veriut, si narrativ. Angazhimi i kandidatit më të fortë të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo (Faton Peci) tregon rëndësinë që kjo garë ka për partinë. Roli i profilit të kandidatëve Në zgjedhjet lokale, roli i individit shpesh rezulton vendimtar. Sipas Eminit, rasti i Ramiz Lladrovcit në Drenas e ilustron qartë këtë. PDK-ja, pjesë e së cilës ishte Lladrovci, vendosi për kandidat në garë Petrit Hajdarin. Lladrovci, i cili deri atëherë ishte kryetar, i hyri garës me një nismë qytetare dhe e fitoi atë që në rundin e parë. “Kjo tregon qartë se kandidatët kanë rëndësi të madhe”, thotë Emini. Një shembull tjetër, sipas saj, është edhe Përparim Rama në Prishtinë. “Rasti i Përparim Ramës tregon ndikimin e një fytyre të re që vjen në një parti si LDK-ja nga jashtë Kosovës. Përkundër të gjitha pritshmërive, kandidati fitoi, dhe profili i tij kishte rëndësi jo vetëm për shkak të vetë figurës, por edhe për mbështetjen e partisë. Pra, kombinim i faktorëve”, shpjegon Emini. Hartë e re politike në horizont? Rezultatet e balotazhit pritet të ndikojnë ndjeshëm në hartën politike të Kosovës. Në shumë komuna, diferencat janë minimale, dhe çdo koalicion lokal mund të përmbysë rezultatin. Në Prishtinë, për shembull, vendimi i kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, për qëndrimin neutral apo përkrahjen eventuale të njërës palë, mund të përcaktojë fituesin. “Koalicioni eventual mund ta ndryshojë situatën në terren”, thotë Emini. Ajo shton se Vetëvendosja po përpiqet ta zgjerojë ndikimin lokal, veçanërisht në zonat ku më parë nuk kishte bazë të fortë. Në zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti kishte fituar vetëm në katër komuna. “Shembull është targetimi dhe investimi në Mitrovicën e Jugut, duke tentuar për të zvogëluar PDK-në në një nga bastionet e saj. Nëse (LVV-ja) ka një fitore eventuale edhe në Vushtrri, atëherë e sfidon edhe më shumë (PDK-në)”, thekson Emini. PDK-ja dhe LDK-ja, në anën tjetër, janë përqendruar në mbajtjen e komunave që i konsiderojnë bastione tradicionale. “Këto parti janë duke luajtur në mbrojtje, duke u përpjekur t’i mbajnë bastionet e tyre. Ndërsa Vetëvendosje po përdor një lojë më strategjike dhe të fuqishme, me përfshirje aktive edhe të kryeministrit në detyrë (Albin Kurti)”, thotë Emini. Zgjedhjet lokale si pasqyrë e skenës qendrore Historikisht, votuesit në Kosovë kanë bërë dallime midis zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore. Megjithatë, Emini vëren se lidhjet midis sjelljes lokale dhe strategjive nacionale po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Vetëvendosje, sipas saj, po punon me qëllim për të zgjeruar kontrollin komunal, ndërsa partitë e tjera po përpiqen t’i ruajnë territoret e tyre politike. “Bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet PDK-së dhe LDK-së e ilustron mirë këtë dinamikë. Edhe pse mbetet e paqartë nëse këto marrëveshje lokale do të çojnë në koalicione të reja në nivel qendror, Emini nuk e përjashton mundësinë. “Prirja e PDK-së dhe LDK-së për të bashkëpunuar në ruajtjen e pozitave të tyre, mund të sinjalizojë edhe mundësi të bashkëpunimeve të ngjashme në skenën qendrore”, thotë analistja. Polarizimi politik dhe pritjet për të ardhmen Zgjedhjet e këtij viti, si ato parlamentare apo lokale, kanë dëshmuar polarizimin e skenës politike në Kosovë. Vetëvendosja ka ruajtur narrativin “ne kundër të gjithëve”, ndërsa partitë tradicionale po përpiqen t’i mbrojnë pozitat ekzistuese, thotë Emini. Në këtë kohë, LVV-ja po përpiqet ta formojë Qeverinë e re me Glauk Konjufcën si mandatar për kryeministër, ndërsa partitë e tjera kërkojnë zgjedhje të parakohshme. 🏡 Zgjedhja e sotme është një investim 11/08/2025 12:27 Balotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës 11/08/2025 12:12 Përleshje mes shqiptarësh në Zvicër, 34-vjeçari theret me thikë para diskotekës 11/08/2025 12:10 KQZ certifikon rezultatet në Prishtinë, Mamushë dhe Junik