Pikat kryesore
- Ka nisur punimet Asambleja e Dytë SEPCA-S, nën presidencën e Policisë së Shtetit.
- Jo pa qëllim kemi zgjedhur qytetin e Vlorës për të zhvilluar këtë takim.
- Vlora është një qytet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi në këtë qytet, në vitin 1912, Pavarësia e Shtetit Shqiptar mori jetë.
Ka nisur punimet Asambleja e Dytë SEPCA-S, nën presidencën e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën e mbajtur në takimin rajonal të policive të Evropës Juglindore, e cilësoi këtë forum si platformën më gjithëpërfshirëse dhe funksionale të bashkëpunimit policor në rajon. Fjala e hapjes e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në cilësinë e Presidentit të radhës të SEPCA-s Të nderuar kolegë, përfaqësues të Policive të vendeve të Evropës Juglindore, Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, partnerë dhe miq, Është një nder i veçantë për mua që, në cilësinë e Presidentit të radhës të SEPCA-s, të hap sot punimet e këtij takimi të rëndësishëm rajonal në qytetin e bukur të Vlorës. Jo pa qëllim kemi zgjedhur qytetin e Vlorës për të zhvilluar këtë takim. Vlora është një qytet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi në këtë qytet, në vitin 1912, Pavarësia e Shtetit Shqiptar mori jetë. Gjithashtu, po në këtë qytet është nënshkruar dekreti nga Qeveria e kohës për themelimin e Policisë Shqiptare. Është kënaqësi e veçantë që, nën simbolikën që përfaqëson ky qytet, të mirëpresim sot miqtë dhe kolegët nga rajoni, duke qenë të vetëdijshëm se SEPCA mbetet platforma më gjithëpërfshirëse dhe më funksionale e bashkëpunimit policor në Ballkanin Juglindor. Vlora nuk është thjesht një destinacion i bukur turistik i Adriatikut dhe Jonit. Ajo është një nga pikat më të rëndësishme të monitorimit të kufirit detar dhe një nga nyjet kryesore të bashkëpunimit operacional rajonal. Takimi i sotëm në Vlorë është një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë, për të analizuar sfidat dhe për të projektuar të ardhmen e bashkëpunimit policor rajonal.