Mbytja e 15-vjeçarit në Gjirokastër, Sula paralajmëron masa: Gjoba, pezullim dhe mbyllje…

Mbytja e 15-vjeçarit në Gjirokastër, Sula paralajmëron masa: Gjoba, pezullim dhe mbyllje…

Pikat kryesore

  • I pyetur për ngjarjen nga gazetari i Report TV, Sula tha se rasti duhet të verifikohet dhe se nuk do të ketë tolerancë për askënd nëse konstatohen shkelje.
  • Do të ndalemi dhe në këtë rast dhe nëse nuk janë plotësuar kushtet që duhet të ketë një subjekt në përmbushje të aktivitetit të tij, do të ketë penalitete që i takojnë kushdo qoftë ai.
  • Për rastin, kushdo subjekt qoftë ai, nëse ka shkelur ligjin dhe nuk ka plotësuar të gjitha kushtet do të merren masa konkrete nga gjoba, pezullimi apo mbyllja e aktivitetit”, tha Sula.

Vdekja tragjike e një 15-vjeçari në një pishinë në Gjirokastër ka sjellë paralajmërimin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, se çdo subjekt që nuk plotëson kushtet ligjore dhe të sigurisë do të përballet me masa të forta, deri në mbylljen e aktivitetit. I pyetur për ngjarjen nga gazetari i Report TV, Sula tha se rasti duhet të verifikohet dhe se nuk do të ketë tolerancë për askënd nëse konstatohen shkelje. “Padiskutim që ngjarja duhet të verifikohet. Do të ndalemi dhe në këtë rast dhe nëse nuk janë plotësuar kushtet që duhet të ketë një subjekt në përmbushje të aktivitetit të tij, do të ketë penalitete që i takojnë kushdo qoftë ai. Ngjarja është fatkeqësi dhe ngushëllime familjes. Detyra jonë është të parandalojmë. Për rastin, kushdo subjekt qoftë ai, nëse ka shkelur ligjin dhe nuk ka plotësuar të gjitha kushtet do të merren masa konkrete nga gjoba, pezullimi apo mbyllja e aktivitetit”, tha Sula. Deklaratat u bënë gjatë një takimi trajnues me përfaqësuesit e inspektorateve rajonale të Qarkut të Elbasanit, ku Kryeinspektori u ndal edhe te problemet mjedisore që prej vitesh shqetësojnë zonën. Sula ngriti alarmin për nivelin e ndotjes dhe dëmtimin e lumenjve Shkumbin e Devoll, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve do të jetë prioritet dhe se ndaj çdo shkelësi do të zbatohet politika e tolerancës zero. Sipas tij, bizneset apo subjektet që shkaktojnë ndotje do të përballen me masa të ashpra administrative, deri në revokimin e licencave sepse mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve do të jetë në qendër të vëmendjes së institucioneve. Kryeinspektori shprehu shqetësim specifik për nivelin e ndotjes në qytet dhe probleme mjedisore, të cilat prej vitesh po ndikojnë negativisht si në shëndetin e banorëve, ashtu edhe në pasuritë natyrore të zonës. Sipas tij lumenjtë Shkumbin dhe Devoll janë dëmtuar rëndë ndër vite për shkak të abuzimeve me lejet mjedisore dhe ndërhyrjeve të pakontrolluara në shtretërit e tyre. Ai veçoi dëmtimet e shkaktuara në lumin Shkumbin nga aktivitetet e kompanive që po punojnë për ndërtimin e Korridorit 8. Ai theksoi se ndaj çdo shkelësi të ligjit do të zbatohet politika e tolerancës zero. Po ashtu, Sula paralajmëroi nisjen e një reforme të thellë në sistemin e inspektimeve. Sipas tij, inspektimet do të unifikohen për të shmangur mbivendosjet mes institucioneve, ndërsa do të ketë përgjegjësi edhe për inspektorët që nuk zbatojnë ligjin ose tregohen neglizhentë në detyrë. Sula gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje që konstatojnë, veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore, ndërtimit dhe mjedisit. “I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Elbasanit që kur konstatojnë shkelje, sidomos për AKU, IKMT dhe Mjedisin, duhet të na informojnë. Çdo ankesë, denoncim dhe sinjalizim na ndihmon shumë”, tha Sula.

Lini një Përgjigje